AKTUALITET, 15 Dhjetor 2017, 10:33

‘The Economist’ shkruan për luftën brenda PS: Shkatërrimi i karrierës së Tahirit, sukses për Veliajn

‘The Economist’ shkruan për luftën brenda PS:

Revista e njohur “The Economist” në rubrikën “Europe’s new go-to city” në një shkrim kushtuar kryeqytetit shqiptar, pasi flet për punën e kryebashkiakut Erion Veliaj, komenton edhe luftën brenda Partisë Socialiste, për trashëgiminë e postit të Edi Ramës.

Në fund të këtij shkrimit ‘The Economist’, shkruan se për Erion Veliajn konsiderohet si sukses shkatërrimi i karrierës së Saimir Tahirit, pasi ai ishte ‘sfiduesi i tij i vetëm serioz, për udhëheqjen eventuale të ardhshme të Partisë Socialiste’.

Për këto zhvillime gazeta i referohet hetimeve të fundit, për përfshirje të ish-ministrit të Brendshëm në trafikun e drogës.

‘The Economist’ e ka pyetur Veliajn drejtpërdrejt, nëse ai dëshiron të drejtojë Shqipërinë në të ardhmen, por ai është përgjigjur në mënyrë të mjegullt; as e ka pohuar dhe as e ka mohuar. Veliaj ka thënë, se tani për tani, po mendon vetëm për të fituar një mandat të dytë si kryetar bashkie në Tiranë.

“Tani ai nuk mund të jetë në një moment më të mirë. Gjithkush mund të shohë rezultatet e punës së tij dhe, ai përfiton nga mos përfshirja në një skandal që plasi në tetor dhe që e ka dëmtuar Ramën dhe qeverinë e tij. Një ish-ministër i Brendshëm u akuzua për bashkëpunim me kontrabandistët e drogës, një kërkesë që ai e mohon. Sukses për Veliajn, ish-ministri i Brendshëm, karriera e të cilit është shkatërruar, ishte sfiduesi i tij i vetëm serioz për udhëheqjen eventuale të ardhshme të Partisë Socialiste”, shkruan ‘The Economist’.