AKTUALITET, 26 Tetor 2018, 11:15

Tentoi të vriste për hasmëri, zbulohet autori i atentatit në Kamëz, i plagosuri jashtë rrezikut

Tentoi të vriste për hasmëri, zbulohet autori i atentatit në

Policia ka zbardhur atentatin me armë zjarri mbrëmë ku mbeti i plagosur Elez Bodisha. Autori është Besnik Batusha 47 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa vijojnë kërkimet për prangosjen.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në një lokal në Valias rreth orës 20:00. Report Tv ka mësuar se në vendin e ngjarjes janë regjistruar 20 të shtëna nga një breshëri arme.

Ngjarja dyshohet për shkaqe hasmërie, pasi vëllai i të plagosurit Elez Bodisha ka vrarë dy persona në Kukës disa vite më parë dhe kjo dyshohet se është arsyeja që Batusha ka tentuar ta vrasë.

I plagosuri Elez Bodisha sipas policisë ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i plotë i policisë për ngjarjen

Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku në Kamëz mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi Elez Bodisha.

Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin për veprat penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës pas një pune intensive hetimore bën identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shtetasit :

- B. B., 47 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas mbrëmjen e djeshme në rrugën “Nato” në Laknas, Kamëz ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit E. B., 50 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprat penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78/25 dhe 278 të Kodit Penal.