AKTUALITET, 26 Tetor 2018, 10:10

Përgjimet e Dakos, Manjani: Shteti gallatë, drejtësia sallatë!

Përgjimet e Dakos, Manjani: Shteti gallatë, drejtësia

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani iu është bashkuar reagimeve pas daljes së përgjimeve ku implikohet kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako në biseda me bandën ‘Avdylaj’.

Përmes një statusi në ‘Facebook’ Manjani ka sulmuar prokurorinë për nxjerrjen e dosjes hetimore, ndërsa e ka cilësuar këtë një skandal. Kujtojmë se mbrëmë emisioni ‘Të Paespozuarit’ në ‘News24’ publikoi ekskluzivisht pjesë nga dosja ku Dako flet me Altin Avdylajn.

REAGIMI I MANJANIT

Katatastrofë!

Dhjetëra faqe dokumentash zyrtarë, të klasifikuar për shkaqe hetimore, gjenden sot në media!

Prokurori, e cila është pronare e atyre dokumenteve, në vend ti ruante me fanatizëm i nxori në media në papërgjegjshmëri të plotë!!

Ato dokumente u prodhuan për të ndihmuar prokurorinë të godasë krimin. Por ajo vendosi ta mbrojë atë, duke nxjerre në publik indiciet zyrtare!

Skandal sa më s’ka!

Tashmë çdo lloj hetimi i mëtejshëm nuk ka kuptim sepse indiciet janë bërë publike dhe “të interesuarit” kanë siguruar alibitë e tyre!

E bënë shtetin gallatë! Drejtësinë sallatë!

E vetmja mënyrë për të mbrojtur krimin e pushtetarëve kjo ishte!