AKTUALITET, 16 October 2026, 12:39

Tabaku: Të mitur me shenja dhune dhe kushte çnjerëzore në qeli. Po dokumentojmë çdo rast për institucionet ndërkombëtare dhe kallëzime penale

Tabaku: Të mitur me shenja dhune dhe kushte çnjerëzore në

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, ishte mëngjesin e sotëm në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza”, ku takoi të rinjtë e ndaluar pas protestës së djeshme dhe më pas familjarët e tyre. Pas vizitës, ajo denoncoi dhunë policore, ndalime të personave që, sipas saj, nuk kishin lidhje me protestën dhe kushte çnjerëzore në ambientet ku mbahen të rinjtë.

Sipas Tabakut, në total janë shoqëruar 150 persona, mes tyre 17 të mitur. Ajo deklaroi se gjatë takimeve kishte dëgjuar dëshmi për keqtrajtime dhe kishte parë të mitur me shenja të dukshme dhune.

“Janë rrahur, janë tërhequr zvarrë, janë kapur vetëm duke ecur në rrugë”, u shpreh Tabaku, duke shtuar se disa prej të ndaluarve kishin kaluar natën të shtrirë në ambientet e komisariateve, ndërsa në Bllokun e Sigurisë mbaheshin nga katër persona me një dërrasë si vend për të kaluar natën.

“Nuk është kjo Shqipëria europiane. Nuk është kjo Shqipëria për të cilën të rinjtë sot po protestojnë”, deklaroi ajo.

Një shqetësim të veçantë Tabaku ngriti për trajtimin e të miturve. Sipas saj, ka raste kur ata kanë firmosur dokumente pa e ditur përmbajtjen e tyre, kanë pasur nevojë për asistencë ligjore dhe prindërit nuk janë njoftuar.

Deputetja ngriti gjithashtu pretendimin se ka prova dhe dëshmi për persona të veshur si policë, por që, sipas saj, nuk janë pjesëtarë të Policisë së Shtetit. Ajo i akuzoi këta persona se po keqpërdorin uniformën dhe imazhin e policisë për të terrorizuar protestuesit dhe familjarët e tyre.

Tabaku bëri të ditur se është ngritur një grup pune për të monitoruar kushtet në komisariate dhe në ambientet e ndalimit, si dhe për të mbledhur dëshmi për çdo rast të pretenduar keqtrajtimi. Sipas saj, dokumentacioni do t’u përcillet institucioneve ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

“Partia Demokratike ka qenë në terren, ka qenë në komisariate, ka qenë në spitale, ka biseduar me të gjithë dhe ka siguruar edhe ndihmën ligjore”, tha ajo.

Duke e cilësuar trajtimin e të rinjve dhe kushtet e mbajtjes së tyre si shprehje të një represioni sistematik, Tabaku theksoi se rastet e denoncuara do të ndiqen. Ajo shtoi se të rinjtë protestojnë për arsim, kushte më të mira jetese dhe mundësinë për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.

“Do të jemi në krah të tyre, në mbështetje të protestës, që zëri i rinisë të buçasë fort nëpër rrugë”, përfundoi Tabaku.

Reagimi

Që në orët e para të mëngjesit kemi qenë në Bllokun e Sigurisë për të takuar të gjithë të shoqëruarit nga protesta e djeshme.

Në total janë 150 persona. Shtatëmbëdhjetë të mitur janë shoqëruar mbrëmë. Në mënyrë çnjerëzore janë rrahur, janë tërhequr zvarrë, janë kapur vetëm duke ecur në rrugë.

Mbrëmë, nëpër komisariate, kanë qenë të shtrirë në ambientet publike. Këtu, në Bllokun e Sigurisë, në paraburgim, janë nga katër veta; me një dërrasë kanë kaluar gjithë natën. Janë kushte çnjerëzore.

Nuk është kjo Shqipëria europiane. Nuk është kjo Shqipëria për të cilën të rinjtë sot po protestojnë.

Kemi ngritur një grup pune që ka monitoruar, që nga mëngjesi i ditës së parë deri në darkë, nëpër komisariate. Ka parë të gjitha kushtet në paraburgim, ka ndjekur dhe ka mbledhur evidencat e plota për të gjitha rastet e keqtrajtimit.

Kjo dosje e plotë do t’i niset çdo institucioni ndërkombëtar për çështjet e të drejtave të njeriut, në Shqipëri dhe jashtë saj.

Partia Demokratike ka qenë në terren, ka qenë në komisariate, ka qenë në spitale, ka biseduar me të gjithë, ka siguruar edhe ndihmën ligjore. Do të jemi atje për të mbrojtur të drejtat e njeriut të kujtdo.

Trajtimet çnjerëzore, trajtimet e të miturve, të cilët ishin me shenja dhune, me të nxira, me gjymtyrë të nxira, nuk kanë për të kaluar pa u denoncuar dhe pa na pasur ne në krah të tyre.

Ndërkohë që flasim, shtatëmbëdhjetë të miturit që janë këtu kanë pasur nevojë për asistencë ligjore. Kanë firmosur dokumente pa e ditur se çfarë firmosin. Nuk janë njoftuar prindërit. Janë kapur në rrugë nga forcat “Shqiponja”.

Të gjitha këto, të gjitha ato që kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme, gjatë ditës së pardjeshme, ato që kanë ndodhur nëpër komisariate, janë shkelje të të drejtave të njeriut.

Sot, në Shqipëri, të rinjtë po protestojnë për shumë gjëra. Po protestojnë për arsimin, po protestojnë për kushte më të mira, po protestojnë që të mos largohen. Po protestojnë pikërisht për këto të drejta që u shkelen.

Çdo i ri që ka qenë atje nuk ka ushtruar asnjë akt dhune.

Më tha njëri nga të rinjtë, [emër i paqartë], atje: “Më morën dhe më arrestuan sepse po protestoja”.

Pse, në Shqipëri nuk lejohet protesta? Në Shqipëri nuk lejohet të ngresh zërin? Në Shqipëri nuk lejohet të dalësh kundër qeverisë?

Do të jemi në krah të tyre, në mbështetje të protestës, që zëri i rinisë të buçasë fort nëpër rrugë dhe, njëkohësisht, kundër këtij trajtimi çnjerëzor që ka ndodhur në paraburgim, por edhe në komisariate.