AKTUALITET, 16 October 2026, 12:50

Protestuesit marshim nëpër rrugët e Tiranës, të maskuarit djegin kosha, shkulin kangjella e thyejnë kamerat e sigurisë

Protestuesit marshim nëpër rrugët e Tiranës, të

Protestat e dhunshme në Tiranë vijojnë në ditën e katërt, por vihet re se deri më tani nuk ka sulme drejt institucioneve. Mes gjimnazistëve e nxënësve që kanë bojkotuar mësimin, ka një numër të konsiderueshëm protestuesish të maskuar.

Policia ka marrë masat, por deri më tani nuk regjistrohen incidente serioze. Protestuesit kanë vijuar me bllokimin e rrugëve me kosha mbeturinash që më pas i djegin, ulen për pak kohë në disa segmente ose shkulin kangjellat.

Ndalesa e parë e itinerarit ishte Ministria e Ekonomisë, iu drejtuan më pas asaj të Arsimit dhe tani vijon marshimi, pa një itinerar të qartë.

Në ‘Rrugën e Kavajës’ ku protestuesit po kalojnë tani, ka disa incidente sporadike me shkuljen e kangjellave dhe vendosjen e koshave të mbeturinave në rrugë. Një grup protestuesish të maskuar kanë hipur në shtylla për të thyer kamerat e sigurisë me hekura.