AKTUALITET, 3 Prill 2018, 22:49

SuperRonaldo turpëron Juventusin, kthimi është formalitet

SuperRonaldo turpëron Juventusin, kthimi është formalitet

Kristiano Ronaldo i ka siguruar Real Madrid kualifikimin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Edhe pse mbetet ende ndeshja e kthimit për t’u luajtur kundër Juventusit, rezultati i duelit të parë e bën thuajse formalitet duelin në “Santiago Bernabeu”.

Ronaldo tregoi përsëri se është i pandalshëm në Ligën e Kampioneve e aq më shumë përballë Juventuit, duke shënuar në portën e Bufon që me rastin e parë që iu shfaq, në minutën e 3-të të ndeshjes, për atë që ishte goli i tij më i shpejtë në karrierë në këtë turne. Pas avantazhit, Reali i lëshoi terren Juventusit që provoi në të gjitha mënyrat të shënonte, por pa sukses. Ndërsa madrilenët iu afruan golit të dytë me traversën e goditur nga Kros me një “predhë” nga jashtë zonës.

Në pjesën e dytë, ishte përsëri Juventusi që diktoi ritmin por më pas u desh të dorëzohej përballë një tjetër mrekullie të Ronaldos. Pas një aksioni të madrilenëve, të cilët gjetën në gjumë mbrojtjen vendase, Ronaldo shënoi me një roveshatë spektakolare, që bëri të ccoheshin në këmbë edhe tifozët juventinë për ta duartrokitur.

Në minutën e 66-të, shanset e Juventusit për të përmbysur ndeshjen shkuan në zero, pasi Dibala mori kartonin e dytë të verdhë, për të lënë ekipin e tij me 10 lojtarë. Vetëm 6 minuta më vonë erdhi edhe goli i tretë i Realit, këtë herë me Ronaldon që dha një asist të artë për Marcelon i cili mposhti Bufon për të vulosur rezultatin që nuk ndryshoi më, edhe pse madrilenët iu afruan disa herë golit të katërt përballë Juventusit që thjesht priste vërshëllimën përfundimtare.

 

https://youtu.be/Spq0LRm3j5E