TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjykata Administrative e Apelit i ka dhënë dritën jeshile, ndërtimit të pesë kullave tek diga e Liqenit, në Tiranë. Menjëherë pas këtij vendimi ka reaguar Bashkia e Tiranës, e cila e quan këtë vendim, të marrë në fshehtësi dhe një dhuratë që Lulzim Basha i ka bërë qytetit të Tiranës, në fund të mandatit të tij.
"Gjykata Administrative e Apelit, në një mbledhje të pa njoftuar dhe jashtë vëmendjes së opinionit publik, vendosi të lërë në fuqi lejen për ndërtimin e 5 pallateve 17-katëshe te Diga e Liqenit Artificial, “dhurata” që ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, sot kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i bëri qytetit të Tiranës në vitin e fundit të mandatit të tij"
Pra Bashkia e Tiranës, me të drejtë është mjaft e shqetësuar për këto kulla, që do të shtojnë betonin në kryeqytet, veçanërisht në zonën e fundit të gjelbër që i ka mbetur Tiranës. Por, qëndrimi i Bashkisë dhe kryetarit të saj, duket kryekëput hipokrit, sepse ndërkohë që konteston këto kulla të miratuara nga kundërshtari politik, Erion Veliaj dhe shefi i tij, kanë miratuar disa kulla gjigande që do të pushtojnë qendrën e Tiranës dhe sëfundmi edhe Teatrin Kombëtar. Mesa duket teoria e Erion Veliajt, të cilën e shpjegon herë pas here në studio televizive, me shishe uji apo aparate telefoni, se kullat duhen ndërtuar sa më të larta që të marrim hapësirën lart për të kursyer atë poshtë, nuk vlen për kullat e miratuara nga Lulzim Basha.
Politikanët e të dy krahëve, duken mjaft të shqetësuar për mjedisin dhe betonizimin e kryeqytetit, por kjo gjë ndodh vetëm për ndërtimet që miratohen nga kundërshtari. Megjithatë kjo retorikë, tregon qartë se edhe Lulzim Basha dje, por edhe Erion Veliaj sot, e kuptojnë mjaft mirë krimin që i kanë bërë dhe vazhdojnë ti bëjnë këtij qyteti.
/TPZ.AL/
Për më shumë informacion për kullat që do të ndërtohen në Tiranë, shih linkun më poshtë:
http://www.tpz.al/2018/02/16/kullat-e-edi-rames-ja-si-po-shkaterrojne-identitetin-e-tiranes/