AKTUALITET, 17 Dhjetor 2018, 08:42

Studentët, bojkot absolut auditoreve: Duam të jemi 40 mijë para Kryeministrisë. Largoni këdo që…

Studentët, bojkot absolut auditoreve: Duam të jemi 40 mijë para

Studentët do të mblidhen sot për të protestuar sërish përpara Kryeministrisë.

Përmes thirrjes për bojkot absolut të auditoreve, studentët kanë premtuar se do të jenë me mijëra sot në shesh për t’i kërkuar kreut të qeverisë Rama të plotësojë 8 kërkesat.

Protestat do të zhvillohen jo vetëm në Tiranë, por do të jenë të shtrira në të gjithë vendin, por për çdo student që do të kërkojë të bashkohet përpara Kryeministrisë, ka pasur një thirrje për bizneset të mundësojnë shpenzimet e rrugës për çdo të ri. “Protestë datë 17.12.2018.

Bojkot absolut i universiteteve në të gjithë Shqipërinë. Duam të jemi mbi 40000 studentë! Ju lutemi bizneseve të sigurojnë transportin falas në çdo qytet për studentët që duan të vijnë në protestën e organizuar në Tiranë”, thuhet në njoftimin zyrtar të studentëve. Numri i protestuesve në sheshin para Kryeministrisë pritet të jetë i lartë, teksa kjo e hënë shënon edhe javën e fundit të studentëve në fakultete përpara se të marrin pushimet për festat e fundvitit.

Liderët e partive kryesore të opozitës i kanë bërë thirrje të rinjve të forumeve rinore të grisin teserat e partive dhe t’i bashkohen studentëve në protestë. Thirrje nga partitë politike ka pasur edhe për prindërit dhe qytetarët që të jenë në shesh në mbështetje të kauzës së studentëve. Por këto thirrje nuk janë mirëpritur nga grupet organizatorëve të studentëve. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, organizatorët e protestës bëjnë thirrje që të largohet nga protesta çdokush që artikulon qëndrime dhe thirrje politike gjatë tubimit të sotëm.

“Ne nuk do lejojmë që partiakët të përfshihen me ne. Jo partiake. Nëse shikoni apo dëgjoni ndonjë thirrje që ka ngjyrime partiake, largojini nga protesta”, thuhet në reagimin e studentëve. Studentët janë sot në ditën e 14- të të protestës së tyre, duke kërkuar tarifa më të ulëta, kushte të mira në konvikte dhe kartën e studentit. Kryeministri Rama i ka kërkuar prej fillimit dialog studentëve, por ata kanë kërkuar që më parë të plotësohen kërkesat e tyre.

Gjatë javës që lamë pas, qeveria miratoi marrëveshjen me qeverinë gjermane për restaurimin e konvikteve dhe premtoi se shumë shpejt ato do të jenë në standardet e kërkuara.