AKTUALITET, 15 Prill 2018, 13:09

Statuti i ri: Penalizim kush i sjell dëme PD-së

Kreu demokrat Lulzim Basha mblodhi mbrëmë kryesinë e PD-së për të vendosur mbi ndryshimet statusore, që do t’i propozohen me 20 prill Këshillit Kombëtar dhe do të miratohen nga Kuvendi Kombëtar me 28 dhe 29 prill. Anëtarësia e kryesisë diskutoi rekomandimet e grupit politik të punës për ndryshimet statutore, të cilat pritet të jenë ndryshime rrënjësore. Sekretari i përgji-thshëm i PD, Arben Ristani, prezantoi para kryesisë dokumentin me rekomandime për ndryshime statutore. Burime brenda mbledhjes konfirmojnë se anëtari i kryesisë së PD-së, Gent Malko tha se nuk ishte dakord 100 % me draftin.

“Është një material që e njoh vetëm tani. Edhe pse isha anëtar i grupit të punës. Nuk i them i mirë apo i keq. Po të ishte diskutuar në grup edhe me mua”, tha Malko. Kryesia mori vendim me shumicë votash që kuvendi i 28-29 prillit të jetë vetëm për ndryshimet në statut dhe jo kuvend zgjedhor. Një tjetër kritik i Bashës, Arben Imami pyeti nëse kuvendi do të jetë statutor apo zgjedhor. Basha, i cili preferonte statutor, i hodhi në votim çështjet që ngriti Imami. “Duhet vendosur në statut rregull për mandatin e kryetarit nëse humb zgjedhjet. Le të zgjidhet edhe me deklaratë politike nga ana e kryetarit, por të vendoset si parim. Këshilli kombëtar të këtë kryetar dhe të jetë organ autonom”, u shpreh Imami. Kurse jashtë mbledhjes ai u shpreh për mediat: “Ndryshimet e paraqitura nga unë më herët, nuk ishin pasqyruar në këtë projekt-statut, kjo pasi nuk janë trajtuar çështjet thelbësore të organizimit të PD. Kam kërkuar dorë-heqjen e kryetarit, pasi humb zgjedhjet, si dhe ngritjen e një bordi për administrimin e financave të Partisë. Kjo e fundit është mjaft e rëndësishme, pasi të gjithë duhet të dinë se si dhe pse përdoren paratë e Partisë”.

PD synon afrimin e vendimmarrjes tek anëtarësia. Konkretisht propozohet për përfshirjen e anëtarësisë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë. Kandidaturat, pa asnjë kufizim, që plotësojnë kriteret, kalojnë në filtrin e anëtarësisë përpara se institucionet qendrore, Kryesia dhe Këshilli Kombëtar të marrin vendimin përfundimtar.

Ndryshimet u japin kompetenca të qarta organeve qendrore (Kryesi, Këshill Kombëtar dhe Kuvend Kombëtar) për vendimmarrje të rëndësishme politike të partisë, duke përfshirë miratimin e propozimeve për kandidatura, për koalicione dhe aleanca, për strategjitë dhe programet politike dhe elektorale; Vendosja e parimeve dhe garancive për zgjedhje transparente dhe demokratike në çdo nivel; Parimi i transparencës, garantimi i barazisë së kandidatëve në garë dhe garancia mbi kontrollin e procesit zgjedhor; Të detajohen plotësisht në rregulloren e brendshme të partisë që duhet të miratohet nga Këshilli Kombëtar; Forcimin e rolit të institucionit të kontrollit të partisë, Komisioni Apelimit/gjykatës, dhe ngritja e tij të bëhet që në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar.

Për të bërë një instrument real që ka besueshmëri për anëtarësinë është propozuar që komisioni të jetë në nivel nacional. Standardet etike të bashkëjetesës dhe disiplinës së partisë; Futja e konceptit të “dëmit ndaj partisë”, si parim qe përdoret nga CDU gjermane dhe parashikon rastet kur anëtari kalon në grup tjetër parlamentar; merr pjesë në aktivitete të kundërshtarëve politik; mban publikisht qëndrim kundër politikës së partisë, publikon informata konfidenciale dhe sensitive; shkel ligjet dhe kryen akte të rënda në kundërshtim me etikën qytetare.

Rekomandimet per ndryshime statutore

Procesi është udhëhequr nga dy parime: 

Sigurimi i hapësirave dhe garancive demokratike në parti

Përfshirja në vendimmarrje e anëtarësisë.

Burimet për rekomandimet e ndryshimit të statusit vijnë nga:

Propozimet e dala gjatë analizës

Praktika e partive simotra në Gjermani dhe Britani

Propozimet e dy flukseve të ndryshme, që kanë paraqitur platformë politike dhe draftstatut krejt të ri

Propozime individuale nga anëtarë, kryetarë degësh dhe anëtarë të forumeve të partisë.

Afrimi i vendimmarrjes tek anëtarësia.

Propozimi për përfshirjen e anëtarësisë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë. Kandidaturat, pa asnjë kufizim, që plotësojnë kriteret, kalojnë në filtrin e anëtarësisë përpara se institucionet qendrore, Kryesia dhe Këshilli Kombëtar të marrin vendimin përfundimtar.

Ndryshimet u japin kompetenca të qarta organeve qendrore (Kryesi, Këshill Kombëtar dhe Kuvend Kombëtar) për vendimmarrje të rëndësishme politike të partisë, duke përfshirë miratimin e propozimeve për kandidatura, për koalicione dhe aleanca, për strategjitë dhe programet politike dhe elektorale.

Vendosja e parimeve dhe garancive për zgjedhje transparente dhe demokratike në çdo nivel. Parimi i transparencës, garantimi i barazisë së kandidatëve në garë dhe garancia mbi kontrollin e procesit zgjedhor. Të detajohen plotësisht në Rregulloren e Brendshme të Partisë që duhet të miratohet nga Këshilli Kombëtar.

Forcimin e rolit të institucionit të kontrollit të partisë, Komisioni Apelimit/gjykatës, dhe ngritja e tij të bëhet që në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar. Për të bërë një instrument real që ka besueshmëri për anëtarësinë është propozuar që Komisioni të jetë në nivel nacional.

Standardet etike të bashkëjetesës dhe disiplinës së partisë. Futja e konceptit të “dëmit ndaj partisë”, si parim që përdoret nga CDU gjermane dhe parashikon rastet kur anëtari kalon në grup tjetër parlamentar; merr pjesë në aktivitete të kundërshtarëve politikë; mban publikisht qëndrim kundër politikës së partisë, publikon informata konfidenciale dhe sensitive; shkel ligjet dhe kryen akte të rënda në kundërshtim me etikën qytetare.

Rregullimet për ngritjen dhe funksionimin e Komitetit të Seleksionimit të Kandidaturave, që do të funksionojë mbi bazën e një rregulloreje të miratuar nga Këshilli Kombëtar. Është propozim i shpallur në projekt-statutin e dy anëtareve të KK, i përshtatur për kushtet tona nga modeli origjinal i Partisë Konservatore Angleze.