AKTUALITET, 15 Prill 2018, 10:20

Plagosi me thikë 3 persona në lokalin e fshatit, arrestohet agresori në Divjakë

Plagosi me thikë 3 persona në lokalin e fshatit, arrestohet agresori

Një 40-vjeçar, autori i plagosjes së trefishtë të ndodhur mbrëmjen e shkuar në një lokal në fshatin Shën e Premte në Divjakë është vënë në pranga nga policia.

Uniformat blu kanë bërë të ditur se kanë arrestuar Kujtim Imerin, i cili për motive të dobëta është konfliktuar me shtetasit B.G, 67 vjeç, A.G, 21 vjeç, dhe D.Gj, 26 vjeç, banues në fshatin Shën e Premte Divjakë, ku gjatë konfliktit i ka qëlluar me thikë.

Nga sa mësohet, të plagosurit ndodhen në Spitalin Rajonal Lushnjë nën kujdesin e mjekëve.

“Autori pas plagosjes  u largua nga vendngjarja, por  si rezultat i reagimit të shpejtë  të  policisë , u kap  dhe u  arrestua menjëherë nga shërbimet e Policisë Divjakë. Shtetasi Kujtim Imeri është person me precedent penal në fushën e krimeve kundër personit dhe ka qenë i dënuar më parë për plagosje me thikë”, – thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika me të cilën autori goditi 3 shtetasit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.