SPORT, 12 Janar 2023, 12:42

Zbulohen bisedat sekrete shokuese te Barcelona. Drejtuesit kundër Messit: Ai është xhuxh, një mi kanalesh

Zbulohen bisedat sekrete shokuese te Barcelona. Drejtuesit kundër Messit:

“Barto, me të vërtetë, nuk mund të jesh aq i mirë me atë miun xhuxh të kanaleve”. Është një nga mesazhet e shumta tronditëse, të pranishme në bisedat mes Josep Maria Bartomeu dhe Román Gómez Ponti (ish-drejtues i shërbimeve ligjore të Barcelonës), të zbuluara nga gazeta spanjolle “Sport”.

Në mesazhin në fjalë, personi që targetohet si “miu i kanaleve” është Lionel Messi. Pra, dalin detaje të reja për “Barçagate” dhe për lamtumirën e kampionit argjentinas me klubin Blaugrana.

Gazeta ka publikuar mesazhe të shumta private, me ofendime të shumta ndaj lojtarëve, nga bordi drejtues i mëparshëm, mes të cilave janë të shumta të dërguara dhe të marra nga ish-presidenti i Barcelonës.

Mesazhi i mëparshëm, i cili i referohej yllit argjentinas, u dërgua në ditën kur “El Mundo” zbuloi detajet e kontratës së Messit me Barcelonën, duke e zemëruar ekzekutivin për rrjedhjen e informacionit.

Roman Gomez Ponti i shkroi Bartomeu: “Barto, me të vërtetë nuk mund të jesh aq i mirë me atë miun e kanaleve. Klubi i dha atij gjithçka dhe ai vendosi një diktaturë nënshkrimesh, transferimesh, rinovimesh, sponsorizuesish vetëm për të. Nuk do të mund ta bëjë kurrë këtë me shifrat e kontratës së tij.

Këtu duhet të shtojmë rinovimin e Pintos, rinovimin e Suarezit dhe atë të Jordi Alba. Pastaj duhet të mendosh për dëmin që ka pësuar imazhi i klubit dhe i atyre që punojnë për të për shkak të këtij xhuxhi. Le të shpresojmë që të kalbet në indiferencën e njerëzve, gjë që është më e keqja që mund t’i ndodhë”.

Përgjigja e Bartomeu ishte kjo: “Po. Jam dakord për shumë gjëra. Ky lloj artikulli dëmton imazhin e klubit”. Më pas lexohen mesazhe të tjera nga Bartomeu: “Ne e kemi dëgjuar Leon shumë herë. Jo gjithmonë, por shumë herë. Kjo kontratë pa pandeminë ishte totalisht e pranueshme. Ishte një ofertë korrekte, duke marrë parasysh gjithçka që gjeneroi për ne”.

Pastaj, përsëri shkruan Roman Gomez Ponti: “Klubi duhet të përballet me uljen drastike të pagave nën drejtimin e tij dhe akoma më shumë pas qëndrimit të neveritshëm të një ekipi milionerësh, të llastuar dhe të pandjeshëm, që refuzuan të pajtohen me klubin për masat e sigurimit të mbijetesës tonë ekonomike.

Ata nuk duan t’ia dinë fare për vuajtjet e njerëzve. Ata lojtarë që nuk kanë merkato dhe nuk mund të transferohen duhet të shkarkohen me dëmshpërblim minimal; të harrojnë që kanë qenë pjesë e klubit”.