SPORT, 11 Janar 2023, 19:09

Çalhanoglu dhe Barela gati për Milanin, pritet edhe Lukaku

Çalhanoglu dhe Barela gati për Milanin, pritet edhe Lukaku

Simone Inzagi mund të marrë frymë i qetë pasi ekzaminimet e kryera ditën e djeshme kanë konfirmuar që titullarët e mesfushës Nikolo Barela e Hakan Çalhanoglu nuk kanë asgjë më shumë se mbilodhje muskulore, duke përjashtuar kështu lezionet.

Në sfidën ndaj Monzës të dy mesfushorët u larguan në pjesën e dytë për shkak të shqetësimeve që i detyruan të mos jenë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e mbrëmshme në Kupë, ndërkohë që në dyshim duket edhe takimi i së shtunës ndaj Veronës.

Gjithsesi në Apiano qëllimi është që dyshja të jetë gati për Superkupën e Italisë ndaj Milanit mesjavën e ardhshme, një objektiv që me diagnozën e konfirmuar duket më se i arritshëm. Në përballjen me kuqezinjtë, Interi synon të rikuperojë edhe Marselo Brozoviçin e Romelu Lukakun dhe për të dy fundjava pritet të jetë vendimtare për të përcaktuar kohën e rikthimit.