SPORT, 1 Korrik 2022, 19:40

VAR-i në Superiore/ Flet drejtuesi i projektit, Nurishmi: Impakti në sezonin e parë ka qenë shumë pozitiv

VAR-i në Superiore/ Flet drejtuesi i projektit, Nurishmi: Impakti në

Sistemi VAR bëri debutimin në këtë sezon në Kategorinë Superiore me sezonin që u mbyllë me disa polemika ndaj vendimeve të marra nga teknologjia dhe gjykimin e disa episodeve.

Në lidhje me temën ka folur edhe vetë drejtuesi i këtij projekti, Lysien Nurishmi i cili e ka cilësuar këtë sezon debutues si shumë të mirë, ku gabimet teknike ja ka faturuar mungesës së eksperiencës.

“Nëse e shikojmë në total të gjithë vitin e sistemit VAR në Superiore dhe Kupën e Shqipërisë, me një total prej 196 ndeshjesh, vlerësimi është shumë pozitiv. Duhet të mos harrojmë edhe faktin se ishte viti i parë, një eksperiencë e re dhe përballeshim me shumë të panjohura. Kemi evidentuar edhe problematika, ku në 6 ndeshje nuk kemi arritur ta implementojmë për shkak të problematikave teknike dhe ato të lidhura me infrastrukturën e stadiumeve, pa harruar këtu mungesën e eksperiencës.

Do mundohemi që këtë sezon të ri 2022-2023 të mos përsëriten problematikat e evidentuara vitin e kaluar. Teknikët që bëjnë implementimin këtë vit kanë një eksperiencë më të madhe, e cila sigurisht është shumë e rëndësishme. Në të njëjtën kohë do të zhvillojmë edhe trajnime me operatorët që të jemi gati për sezonin e ri. Kemi filluar gjithashtu inspektimi në të gjitha stadiumet dhe janë lënë detyra për përmirësimin e infrastrukturës. Kam shumë besim që ky sezon për arsyet e sipërpërmendura do të jetë shumë herë më pozitiv në krahasim me edicionin e parë për shkak të eksperiencës dhe kushteve më të mira.”, u shpreh Nurishmi.