SPORT, 1 Korrik 2022, 11:39

Lojtari më i shtrenjtë në histori, drejt kampionëve të Italisë/ Nejmari, “kartëvizita” e Kardinales te Milani

Lojtari më i shtrenjtë në histori, drejt kampionëve të

Sot nis zyrtarisht merkatoja për klubet europiane. Disa kanë objektiva të qartë e të tjerë presin t’i hasin rrugës.

Por ka edhe ëndrra e Milani ka shumë të tilla. Fundja pasi bëri realitet titullin, kampionët mund të arrijnë gjithçka. Përfshirë edhe Nejmar da Silva Santos Zhunior.

Ylli i PSG-së do të luajë sivjet botërorin e fundit, fundja këtë e ka bërë të ditur vetë.

Sipas babait të tij, ai ëndërron të rikthehet në Brazil, e më saktësisht te Santosi ku nisi karrierën.

Ende në kulmin e karrierës, ai arkëton thuajse 50 milionë euro në vit në Paris e vështirë se një klub brazilian, do t’i ofronte ndonjë pagë në të tilla lartësi.

Edhe në Europë do të ishin të pakta skuadra më të tillë potencial. Çelsi, me pronarin e ri Tod Bohli, dëshiron të përfshijë në skuadër 30-vjeçarin. Për t’ia dalë mbanë, ka përdorur edhe Tiago Silvën si ndërmjetës dhe nuk dihet se deri në ç’pikë kanë rrjedhur bisedimet.

ENDËRR E MILANIT – Siç thamë, Milani ëndërron një goditje të madhe. Mund të jetë Dibala, Nejmari, por edhe kushdo tjetër.

Pronari i ri, Xherri Kardinale, dëshiron të prezantohet me stil te tifozët e kampionëve të Italisë pasi bleu klubin për 1.3 miliardë euro.

Transferimi i një lojtari brazilian ka kosto të larta me situatën e nderë te kuqezinjtë, është e vështirë edhe të imagjinohet.

Megjithatë, problemet me rinovimet e Maldinit e të tjerëve duhet të zgjidhen shumë shpejt e “Djalli” mund të rikthehet vrullshëm në merkato.

Sipas “UOL Esporte”, Milani do ta punësonte Nejmarin me një formulë lehtësuese. Huazim me të drejtë blerjeje, teksa një pjesë e rrogës do të duhej që të përballohej nga PSG-ja.

Një afrim i tillë do të rindizte entuziazmin e tifozërisë, e cila në ditët e fundit është shfaqur e zhgënjyer nga sjellja ndaj Maldinit dhe drejtuesve të tjerë.

KOSTOT – Kujtojmë se më 3 gusht të 2017-ës, lojtari la Barcelonën duke u transferuar në Paris për 222 milionë euro që ende vijon të jetë operacioni më i kushtueshëm në historinë e futbollit.

Sipas “Transfermarkt”, Nejmar aktualisht vlen 75 milionë euro, por vështirë se PSG-ja do ta lëshonte me të tilla kosto, ndaj, në çdo situatë, Milanit do t’i duhej të bënte një investim kolosal për të cilin mbase edhe një si Xherri Kardinale do të detyrohej të bënte një sforco të madhe në aspektin financiar.