SPORT, 2 Nëntor 2022, 18:16

Titullar në Champions, Kristjan Asllanit nuk i besohet: Është një ëndërr, një vit e gjysmë më parë isha zëvendësues te të rinjtë

Titullar në Champions, Kristjan Asllanit nuk i besohet: Është

Kristjan Asllani ka qenë titullar për herë të parë në Ligën e Kampioneve duke veshur fanellën e Interit këtë të martë përballë Bajern Mynih. Një arritje e jashtëzakonshme për mesfushorin 20-vjeçar shqiptar i cili pas sfidës, duke folur për “Mediaset” nuk e ka fshehur aspak entuziazmin e tij, duke kujtuar se shpejt kanë ndryshuar gjërat në karrierën e djaloshit.

“Deri një vit e gjysmë më parë ulesha në pankinë me ekipin e të rinjve. Të jesh këtu është një ëndërr, për më tepër duke luajtur me skuadrën për të cilën bëj tifo që fëmijë. Do të kisha preferuar që të debutoja si titullar me një fitore, por mirë është edhe kështu. Unë po rritem dhe po fitoj besim.

Ishte thelbësore që të kalonim turin, e dinim që ishte një ndeshje e vështirë, por pastaj mbetëm kompaktë, duke shprehur lojën tonë. Mëkat për këtë humbje, mund të shënonim gol por portieri i tyre ka bërë disa ndërhyrje shumë të mira.

Juventusi? Ndeshje thelbësore, e kemi mendjen aty. E dimë që nuk mund të humbim më pikë”, deklaroi Asllani pas ndeshjes.