SPORT, 14 Maj 2026, 16:20

Tension te Milani, Alegri tenton lëvizjen e fundit

Tension te Milani, Alegri tenton lëvizjen e fundit

Milani mbyllet në Milanello. Jo për arsye komoditeti, por për domosdoshmëri. Pas javësh të vështira, rezultateve të rënda që kanë vënë në rrezik vendin e katërt dhe një ambient gjithnjë e më të tensionuar, Masimiliano Alegri ka vendosur të provojë lëvizjen e fundit. Izolimin e skuadrës për ta rikompaktuar dhe për ta përgatitur në mënyrën më serioze të mundshme dy ndeshjet e fundit të sezonit.

Janë dy sfida që vlejnë gjithçka, Champions League, gjykimin e sezonit, të ardhmen dhe kredibilitetin e klubit. Në këtë moment nuk ka më hapësirë për përgjigje të pjesshme. Milani ende e ka fatin në duart e veta, por duhet të kthehet menjëherë në skuadër në momentin më delikat të vitit. Grumbullimi në Milanelo synon pikërisht këtë.

Të ulë zhurmën e jashtme, të rikthejë përqendrimin, të rrisë përgjegjësinë dhe të rindërtojë një unitet që në muajin e fundit është parë shumë pak. Alegri po i provon të gjitha mundësitë, sepse humbja e këtij objektivi në dy ndeshjet e fundit do të ishte një dështim i madh, jo vetëm sportiv, por edhe emocional dhe ekonomik. Situata për ndeshjen në transfertë ndaj Xhenoas është e komplikuar që në nisje. Në “Marassi”, Milani do të duhet të luajë pa tre lojtarë të pezulluar: Estupinan, Leao dhe Salemakers.

Tre mungesa shumë të rënda, sidomos në një moment ku skuadrës i duhen cilësi, shpejtësi dhe zgjidhje në fushë. Përveç tyre mungon edhe Modriç, ende i padisponueshëm për shkak dëmtimi. Këto mungesa e detyrojnë Alegrin të rishpikë formacionin dhe ekuilibrin e skuadrës për një ndeshje që nuk lejon asnjë gabim, pasi mund të vendosë një pjesë të madhe të atyre 100 milionë eurove që lidhen me kualifikimin në Champions League. Në këtë pikë të sezonit nuk vlejnë më justifi kimet apo llogaritë, Milani duhet të fitojë. Pikë.