SPORT, 13 Maj 2026, 18:29

Ismajli në luftë me kohën, Torino e do me çdo kusht që të lërë Juventusin pa Champions

Ismajli në luftë me kohën, Torino e do me çdo kusht

Ardian Ismajli prej disa javësh është kthyer në spektator në radhët e Torinos, për shkak të një dëmtimi që e ka lënë jashtë fushës së lojës. Por futbollisti po stërvitet me përgatitësit atletikë të skuadrës italiane, që kanë një objektiv të qartë në mendje për të.

Torino ka siguruar vendin e vet në mesin e tabelës së Serisë A dhe dy javët e fundit nuk ndryshojnë asgjë për këtë ekip sido që të përfundojnë ndeshjet. Por sfida e fundit e kampionatit ka një shije më të veçantë për ekipin, pasi do të jetë derbi ndaj Juventusit.

Dhe nëse për Torinon derbi nuk ka vlerë në renditjen sportive, për Juventusin ajo ndeshja e fundit është jetike, pasi mund t’i sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve apo jo. Kësisoj, Juventusit i duhen me çdo kusht tre pikët, ndërsa Torino kërkon t’u prishë planet “kushërinjve të urryer”.

Ndaj stafi mjekësor po punon që të ketë Ismajlin të gatshëm për ndeshjen e fundit të kampionatit, ku fitorja, apo edhe barazimi, mund të kishte më shumë rëndësi për tifozerinë e skuadrës.