TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pas një 2022-shi të jashtëzakonshëm, Luiza Gega ka hapur zyrtarisht dje sezonin 2023 me pjesëmarrjen në “Diamond League” të Karlsruhes. Kampionia kuqezi konkurroi në garën e 3000 metrave në salla të mbyllura, duke e nisur sezonin dimëror me një vend të tetë në Gjermani.
Luiza regjistroi kohën 8:50.94 në një garë ku merrnin pjesë atlete elitare, ku plot gjashtë prej tyre ishin nga Etiopia. Ishin atletet e shtetit afrikan ato që e dominuan garën, duke zënë edhe gjashtë vendet e para, ndërsa kampione u shpall Lemlem Hailu me rezultatin 8:37.55.
Luiza vinte në këtë garë pas një faze përgatitore disajavore në Portugali dhe ky ishte testi i parë për kampionen tonë, që ndez kështu zyrtarisht “motorët” për vitin 2023. Por duhet theksuar se pak ditë më parë atletja ka patur një bllokim muskular në shpinë dhe vithe, duke bërë që të mos ishte në formën e saj optimale. Asgjë serioze, por një dëmtim që penalizoi për këtë garë dhe ashtu sikurse pohoi edhe vetë Gega e kishte të pamundur që të shtynte më tepër në këtë garë.
Kujtojmë se në Karlsruhe, Luiza Gega ka edhe kohën e saj më të mirë në 3000 metra “indoor”, teksa 3 vite në parë në tokën gjermane do ta ndalte kronometrin në rezultatin 8:44.46, duke vendosur edhe rekordin kombëtar në këtë disiplinë.
Gjithsesi gara e preferuar e Gegës mbetet ajo e 3000 metrave me pengesa, disiplinë në të cilën bëri historinë gjatë vitit të kaluar me arritjen e jashtëzakonshme, duke u shpallur kampione e Europës me rekord në Europianin e zhvilluar në Mynih, pa harruar Kampionatin Botëror në Oregon, event ku shënoi gjithashtu renditjen më të lartë të të gjitha kohërave për atletikën, duke u klasifikuar në vend të pestë.