SPORT, 28 Janar 2023, 18:21

Ditëlindja e Murinjos, Spaleti bën ironi: Nuk më ftoi dhe më erdhi keq

Ditëlindja e Murinjos, Spaleti bën ironi: Nuk më ftoi dhe më

Zhoze Murinjo ka festuar 60-vjetorin e tij gjatë ditës së premte, pak ditë para ndeshje shumë delikate në kampionat përballë Napolit. Një Napoli që nuk ka ndër mend t’i bëjë dhurata trajneri portugez, me Luçiano Spaletin i cili në fakt ka përdorur ironinë për të komentuar këtë ditë të veçantë të Murinjos.

“Duhet t’i bëj urimet e mia Murinjos. Nuk më ftoi në ditëlindje dhe me erdhi keq. Unë do të kisha shkuar me dhuratë”, tha fillimisht trajneri i Napolit, por duke mos kursyer më pas lëvdatat për rivalin e tij në ndeshjen e të dielës në darkë. “Ai është një nga ata të cilët çojnë nivelin e futbollit në globalitetin e tij, komplimente dhe urime”, theksoi Spaleti në konferencën e sotme për shtyp.

“Kjo është një Romë që ka lojtarë të mëdhenj, një trajner shumë praktik dhe konkret që bën të kuptohen mirë sjelljet e skuadrës gjatë ndeshjes. Kanë lojtarë të aftë, nuk duhet të mendosh kurrë të menaxhosh ndeshjen, të mendosh se e ke në dorë. Ata kanë lojtarë si Dibala që shfrytëzojnë këmbën e shokëve të ekipit kur kanë hapësira dhe të detyrojnë të kthehesh në mbrojtje. Është një ndeshje e vështirë nëse nuk je i aftë të ruash ekuilibrin, duke imponuar lojën nëse ia del, por edhe duke ruajtur rregullin”, paralajmëroi Spaleti.