SPORT, 28 Janar 2023, 20:14

“Bomba” e merkatos nga Spanja, Uzuni në radarët e Galatasaray dhe gjigandit të Premier Ligës

“Bomba” e merkatos nga Spanja, Uzuni në radarët e

Myrto Uzuni vazhdon të shënojë dhe kjo e ka bërë një emër shumë interesant në merkaton e futbollistëve në Europë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, duke gjetur rrugën e rrjetës me rregullsi në këtë sezon me fanellën e Granadas në La Liga 2, ka tërhequr vëmendjen e klubeve me shumë emër në Europë.

Sipas portalit të radios së njohur spanjolle “COPE”, për sulmuesin kuqezi ka shfaqur interes klubi i Gallatasarajit, i cili po e monitoron prej kohësh duke parë që ka një progres të vazhdueshëm. Por jo vetëm kaq, pasi i njëjti burim saktëson se mbi Uzunin janë edhe sytë e një gjigandi të Premier Ligës, klubit të Lids, i cili kërkon një lojtar ofensiv krahu për të zëvendësuar të larguarin Rafinja.

Granada për momentin nuk i është përgjigjur këtij interesi për të hapur negociata direkte me këto klube, teksa ka bërë të qartë se Uzuni ka një klauzolë largimi e cila është prej 12 milionë eurosh dhe kjo është shuma minimale që çdo klub i interesuar duhet të paguajë për të. Shifër e cila në fakt me çdo gol tjetër që shënon sulmuesi i Shqipërisë, i cili është aktualisht në kuotën e 14 të tillëve në këtë edicion në La Liga 2, bëhet gjithnjë e më interesante për skuadrat që e kërkojnë.