TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në futbollin shqiptar kemi aktualisht dy realitete të ndryshme, që duken paradoksale dhe shumë larg njëra-tjetrës.
Në një krah kemi Kombëtaren shqiptare, që ka prekur kualifikimin për herë të dytë në Europian, duke shkëlqyer me lojën, golat dhe rezultatet që po merr këtë edicion.
Kjo ka rikthyer si kurrë më parë interesimin për ekipin kuqezi, me biletat që shiten në kohë rekord, edhe pse me një çmim shumë të lartë për nivelin e jetesës në vendin tonë. Mirëpo, në një kohë që jemi me një këmbë në Europianin e Gjermanisë dhe po krijojmë një imazh pozitiv në arenën ndërkombëtare, jo thjesht për shkëlqimin e ekipit, por edhe për atmosferën fantastike që është krijuar në stadiumin “Air Albania”, befas prekim një regres të pazakontë në atë që mund të quhet elita e futbollit shqiptar.
Dje, në vendimin e marrë nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF, u konfirmua edhe një herë tjetër sesa shumë probleme kanë klubet shqiptare, madje ato që janë elita e futbollit tonë. Tirana, Dinamo dhe Skënderbeu, që bashkë bëjnë 52 tituj kampionë, janë aktualisht në listën e zezë të klubeve që nuk përmbushin detyrimet ndaj lojtarëve dhe zyrtarëve që kanë fituar gjyqe të formës së prerë në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF.
Për këtë arsye u është bllokuar merkatoja për tri sesionet e ardhshme, deri në pagesën e plotë të detyrimit që kanë. Pra, 30% e Superiores në këtë moment e ka të bllokuar merkaton dhe bëhet fjalë për klube që kanë bërë historinë. Kjo është një kambanë alarmi dhe tregon qartë problemet e theksuara financiare dhe menaxheriale që kanë klubet. Dhe kur kjo ndodh te Tirana, Dinamo dhe Skënderbeu, që duhej të ishin shembuj pozitivë, realiteti është edhe më i hidhur./ Panorama Sport