SPORT, 10 Nëntor 2023, 17:50

Nga Bellingami te Brahimi, Reali gjen vitaminën B

Nga Bellingami te Brahimi, Reali gjen vitaminën B

Xhud Bellingam bëri një mesjavë pushim, duke mos u aktivizuar të mërkurën kundër Bragës në Champions. Problemi në shpatull në përballjen e fundjavës së kaluar kundër Vajekanos bëri që Ançeloti të mos rrezikonte me mesfushorin anglez, me Realin që në fakt nuk është se ia ndjeu shumë mungesën në fushë.

Madrilenët fituan me lehtësi pastër 3-0, duke siguruar biletën për më tej. Një tregues se Reali edhe mund të bëjë pa mesfushorin, i cili është dhe golashënuesi më i mirë i ekipit me 13 rrjeta. Ndoshta ajo varësia ndaj Bellingamit nuk është aq reale për Madridin. Gjithsesi është fakt se ai ka lënë në hije të gjithë sulmuesit e mirëfilltë të Realit (4 gjithsej). Dy prej tyre, Vinicius dhe Rodrigo konsiderohen të paprekshëm për Karlo Ançelotin.

Dy të tjerët, Hoselu dhe Brahim Diaz, janë lojtarë me role episodike, ata duhet të shfrytëzojnë sa më shumë mundësitë e tyre. Dalëngadalë mund të thuhet se të dy po e arrijnë. Hoselu është golashënuesi i dytë më i mirë në skuadër, me pesë gola, një më shumë se Viniciusi dhe dy më shumë se Rodrigo. Më pas shfaqet Brahimi, i cili pavarësisht mungesës së aktivizimit ka shënuar dy gola në vetëm 192 minuta lojë. Ai i shënoi ato në dy ndeshjet e vetme në të cilat ka nisur si titullar, kundër Las Palmasit në La Liga dhe Bragës në Ligën e Kampioneve. Dhe, në të dyja rastet, ai shënoi golin më të rëndësishëm, atë që i hapi rrugën dy fitoreve madrilenëve që përfunduan të rehatshëm.

Që nga ndeshja e tij e parë si titullar kundër Las Palmasit, Brahim Diazi ka luajtur vetëm 16 minuta në 7 ndeshje! Ajo që bëri më shumë përshtypje ishte mosaktivizimi i tij të dielën e kaluar kundër Vajekanos, zgjedhje për të cilën pati dhe kritika në adresë të Ançelotit. Reagimi i italianit ishte i shpejtë, duke i besuar një vend titullari në Champions kundër Bragës. Brazim Diaz në vend të Bellingamit, “B” për “B” dhe melodia nuk ndryshon për Madridin.

Ish-lojtari i Sitit dhe Milanit shënoi dy gola, ndonëse vetëm i dyti ia vlejti. Goli i tij i hapi rrugën një fitoreje të thjeshtë të Madridit, e cila vulosi kalimin në 16-të më të mirët e Europës për sezonin e njëzet e tetë radhazi. Një rekord me të cilin asnjë klub tjetër nuk mund të mburret në “epokën e Ligës së Kampionëve” dhe që këtë sezon, Madridi e ka arritur kryesisht falë kontributit të Bellingamit dhe Brahimit, vitaminës B që drejton “los blancos” në Europë.