TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Mbyllet pa fitues miqësorja Shqipëri-Gjeorgji (0-0). Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje me ritëm të mirë në “Air Albania”, krijuan disa raste të rrezikshme, por goli nuk erdhi përballë një kundërshtari të fortë në prapavijë, që regjistroi rezultatin e pestë radhazi pozitiv.
Edi Reja bëri gjashtë ndryshime në formacion krahasuar me Spanjën (e humbur 2-1). Rey Manaj përkrah Armando Brojës në sulm, sfida e parë si titullar për Kristjan Asllanin, teksa e nisën nga minuta e parë Thomas Strakosha, Ylber Ramadani, Odise Roshi dhe Endri Çekiçi.
Ky i fundit pati mundësinë më të mirë në minutën e 38-të. Asist perfekt Berat Gjimshitit, mesfushori i Konyaspor shmangu bukur një mbrojtës kundërshtar, por gjuajtja pati potence dhe jo saktësi.
Më parë tentuan edhe Broja, Asllani dhe Roshi për ekipin tonë. Reja la Brojën në dhomat e zhveshjes në pushim dhe në fushë zbriti Sokol Cikalleshi. Minuta edhe për Giacomo Vrionin, por dy sulmuesit e futur si zëvendësues nuk ia dolën të kthejnë në gola shanset e tyre.
Në fund provoi edhe Asllani, por grushtoi portieri Mamardashvili. Ekipi mik provoi reflekset e Strakoshës me një gjuajtje potente të Kvekveskiri (72’). Shqipëria tentoi golin në minutat e mbetura, por një gjë e tillë nuk ndodhi dhe takimi përfundoi në barazim 0-0.