BOTA, 21 Maj 2023, 16:15

Rusia akuza ndaj G7: Po minoni stabilitetin global

Rusia akuza ndaj G7: Po minoni stabilitetin global

Ministria e Jashtme e Rusisë e ka cilësuar samitin e G7 në Hiroshima të Japonisë si një ngjarje të politizuar që tha se kishte nxjerrë deklarata anti-ruse dhe anti-kineze.

Moska u kritikua pasi liderët e demokracive më të pasura në botë thanë se nuk do të tërhiqen nga mbështetja e Ukrainës, në një paralajmërim drejtuar presidentit rus Vladimir Putin teksa ai pretendonte se kishte pushtuar qytetin lindor të Bakhmut, të cilin Kievi e mohoi.

Në një deklaratë të postuar në Telegram, Ministria e Jashtme ruse tha se G7 ishte “përkeqësuar në mënyrë të pakthyeshme” dhe se forumi ishte bërë “një “inkubator” ku, nën udhëheqjen e anglo-saksonëve, përgatiten iniciativa shkatërruese që minojnë stabilitetin global.”

Deklarata akuzoi G7 për nxitjen e “histerisë” anti-ruse dhe anti-kineze.

Rusia dikur ishte anëtare e klubit G7 të demokracive të industrializuara, i cili më parë njihej si G8, derisa Moska u përjashtua pas aneksimit të rajonit të Krimesë të Ukrainës në vitin 2014.