SPORT, 15 Dhjetor 2022, 22:05

Rumenige: Do të rikthejmë Gjermaninë e frikshme

Rumenige: Do të rikthejmë Gjermaninë e frikshme

Karl-Hainc Rumenige do të jetë një nga pesë “musketierët” e përcaktuar nga presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Nojendorf, në rolin e panelit këshillues brenda kombëtares. Së fundmi ai ka folur vetë rreth synimeve dhe përgjegjësive pas kësaj sfide të re për të, por me një mision madhor, rikthimin e Gjermanisë së madhe në arenën e futbollit jo vetëm në Europë:

“Gjendja e vështirë ku është kamufluar kombëtarja jonë kërkon besim dhe maturi në hapat vijues. Është koha t’i japim dinjitetin këtij grupi në turnet e ardhshëm. Do ta cilësoja luftë për të ringritur këtë anije me peshë në arenën botërore dhe dhënia e gjakut në situata të tilla nënkupton përgjegjshmëri. Pikësëpari na duhet krijimi i një plani, se ku nevojitet ndërhyrja e menjëhershme, çfarë çalon në grup, pasi jam i sigurt se paraqitja e djemve tanë në Katar nuk ishte aq e keqe sa të eliminoheshim që në grupe.

Të gjithë e dimë se sa e vështirë është të kthesh në udhë një perandori të goditur, por jo e pamundur. Besoj se ky grup ka nevojë për një strukturim dhe ide të qarta drejt së ardhmes mbi nënkuptimin e suksesit. Sot ‘Pancerat’ nuk janë në ditën më të mirë në këtë sport dhe kjo dëshmon se reagimi është i domosdoshëm jo vetëm në planin e kombëtares, por edhe kampionatin vendës në lindjen e talenteve për të krijuar luftëtarë të denjë që mbajnë mbi shpinë jo vetëm fanellën, sigurisht edhe historinë e rëndë.

Tifozët janë pika më delikate e grupit dhe rikthimi i besimit nuk vjen me fjalë. Fusha e blertë rezulton argumenti më bindës, ndërsa rezultati i jep jetë produktit të ushqyer përgjatë 90 minutave: suksesit. Është koha e duhur për t’u treguar të gjithëve se çfarë jemi të aftë të realizojmë, aq më tepër kur turneu i ardhshëm luhet në tokën tonë dhe fraza dështim nuk mund të përsëritet”, përfundoi 67-vjeçari.