SPORT, 10 Janar 2023, 09:37

Projektohet titullar në ndeshjen e Kupës, Asllani sfidon Bufonin për të ndryshuar sezonin e tij

Projektohet titullar në ndeshjen e Kupës, Asllani sfidon Bufonin

Interi do të presë sonte në mbrëmje Parmën e Bufonit në ndeshjen e vlefshme për fazën e 1/8-ave të Kupës së Italisë me zikaltrit që do të kërkojnë të shmangin surprizat në këtë kompeticion dhe të rikthehen menjëherë te fitorja për të treguar që kanë lënë pas atë barazim të hidhur me Monzën.

Por dueli i së shtunës nuk ka lënë vetëm pasoja në rezultat për skuadrën e Inzagit që e ka parë veten të humbasë dy nga lojtarët kyç të saj, Nikolo Barelën e Hakan Çalhanoglunë.

Mesfushorët nuk do të jenë në dispozicion të Inzagit dhe do i shtohen Brozoviçit të dëmtuar (kroati nuk do të ishte gjithsesi i pranishëm sepse është i skualifikuar për shkak kartonësh), duke i limituar zgjedhjet e trajnerit për repartin.

Në këto kushte, por edhe sepse rrotacioni në Kupë ishte i planifikuar, 46- vjeçari pritet t’ia besojë regjinë Kristjan Asllanit dhe të aktivizojë Roberto Galjardinin në vendin e italianit përkrah Mikhitarianit.

ASLLANI – Tek Interi nuk duan të bëjnë fajtorë dyshen Asllani-Galjardini për barazimin me Monzën, edhe pse ndryshimi i nivelit të repartit me ta në fushë dhe me titullarët e përhershëm nuk mund të injorohej.

Stafi shpreson shpreson që sot ndaj Parmës, mesfushorët t’u provojnë dyshuesve se mund të jenë shumë të rëndësishëm në kalendarin e ngjeshur të Interit në vazhdim.

Ndërsa italiani pritet të përshëndesë Interin në qershor pas shtatë sezoneve si zikaltër, një tjetër diskutim është për Asllanin.

Në Apiano janë të bindur për potencialin e elbasanasit, por e dinë gjithashtu se vetëm 347 minutat në dispozicion të tij gjatë këtij sezoni janë të pamjaftueshme për rritjen e tij dhe për të kërkuar që të jetë gjithmonë vendimtar kur thirret.

Është kjo arsyeja pse fati i Kristjanit është ende i paqartë mes zërave për huazim dhe zërave që konfirmojnë të ardhmen zikaltër.

Ndoshta nëse arbitri do ta kishte lejuar të regjistronte atë asist ndaj Monzës, 20-vjeçari i Kombëtares do të kishte marrë një dozë besimi, por tani i ka të gjitha mundësitë për ta nisur sërish nga e para eksperiencën zikaltër, duke pasur në favor të tij edhe kalendarin e lehtë dhe konkurrencën në mesfushë që momentalisht është e ulët.