TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Seria A po luan gjatë kësaj fundjave javën e fundit të saj dhe sot në 18:30, do i takojë Interit të përballë Torinon në “Olimpiko”, në kërkim të një fitoreje që do të shërbente jo vetëm për tri pikët që mund të sillnin vendin e dytë në rast të një humbjeje të Lacios, por edhe të ruajtjes së vazhdimësisë pozitive dhe moralit të lartë në prag të finales së Champions League.
E duke menduar për duelin me Mançester Sitin, Inzagi pritet të bëjë një rrotacion masiv në sfidën e sotme, për t’u dhënë më shumë hapësirë atyre që janë aktivizuar pak këtë sezon dhe për t’u dhënë mundësinë titullarëve të rikuperojnë disi energjitë pas dy muajve të ngjeshur. Kështu do i takojë Kristjan Asllanit për të orkestruar lojën zikaltër, me elbasanasin që do të jetë në regjinë e skuadrës si titullar.
Në ndeshjen e fundit të kampionatit, 21-vjeçari do të ketë mundësinë të lërë shenjë në një vit tranzicioni për të që ndoshta nuk ka shkuar si do të dëshironte për shkak të hapësirave të munguara, pse jo duke tentuar të gjejë edhe golin e parë personal me fanellën zikaltër në sezonin e tij të parë të tij me Interin. Në pritje të asaj që do të sjellë e ardhmja për të dhe ekipin, në 90 minutat e sotme, Asllani do të shoqërohet nga Galjardini, që në qershor do të lërë klubin dhe një mes Çalhanoglusë e Barelës, me turkun të avantazhuar.
Gosens e Belanova në krahë, do të mbështeten në prapavijë nga treshja e mbrojtjes Bastoni-De Vraj-D’Ambrozio, me Açerbin e Darmian që do të pushojnë pas shumë kohësh. Handanoviç në portë pritet të ketë sot ndeshjen e tij të fundit me fanellën zikaltër, me kapitenin slloven që në mungesë të ndonjë surprize, do të lërë klubin pas 11 vitesh. Më interesante paraqitet situata në sulmin zikaltër, aty ku veterani Xheko do të shoqërohet nga i riu Denis Kuratulo, lojtar i ekipit të të rinjve që do të bëjë debutimin me ekipin e parë.
OBJEKTIVAT – Edhe pse Interi e ka realizuar objektivin e tij për të qëndruar në katër vendet e para dhe për të siguruar kualifikimin në edicionin e ardhshëm të Champions League, zikaltrit nuk do të jenë pa qëllime sot në fushë. Mundësia për t’i rrëmbyer vendin e dytë Lacios ekziston, një vend i dytë që do t’u shërbente zikaltërve edhe për aspektin ekonomik.
Vendi i tretë vlen 21 milionë euro, ndërkohë që vendi i dytë i Serisë A do të shpërblehet në fund me 26 milionë euro, 5 milionë euro më shumë që mund të bëjnë jo pak diferencën tek Interi. Nga ana tjetër, zikaltrit e Inzagit do të kërkojnë të shënojnë ndaj Torinos edhe golin e 100-të të tyre sezonal duke konfirmuar edhe një herë tjetër fuqinë ofensive të tyre.