SPORT, 4 Nëntor 2023, 22:42

Personazhi i momentit në klubin e Serisë A, trajneri vlerëson Ibrahimoviçin shqiptar: Mos harroni që nuk ka bërë ende 18-vjeç

Personazhi i momentit në klubin e Serisë A, trajneri vlerëson

Arijon Ibrahimoviç është kthyer në këto ditë në emrin më të lakuar te klubi i Frozinones. Djaloshi shqiptar, i huazuar me të drejtën e blerjes nga Bajern Mynih, shënoi në Kupën e Italisë ndaj Torinos dhe shumëkush pret shpërthimin e tij edhe në Serinë A.

Për djaloshin ka folur edhe trajneri Euzebio Di Françesko, i cili ka konfirmuar se ndonëse në moshë të re, Ibrahimoviç kishte treguar se mund të luajë në këto nivele, ndërsa ka mundësi të mëdha përmirësimi.

“Sipas meje mund të luajë në të majtë të tredhëmbëshit. Ai e ka nisur si mesfushor ofensiv. Mos të harrojmë që nuk ka mbushur ende 18 vjeç. Është një çështje pjekurie nga pikëpamja tekniko-taktike. Duhet të përmirësohet ende shumë por ka treguar në Torino një rritje në të gjithë nivelet, edhe në atë difensiv.

Në Torino u rrit me kalimin e minutave, duhet dhe mund të bëjë më shumë. Ai e kishte nisur pak i çrregullt. Por e pranojmë paraqitjen e tij, pasi ka lënë të kuptohet që mund të jetë pjesë e ekipit.

Për të vlerësuar realisht në të vërtetë lojtarët, duhen hedhur në fushë, duhet guxuar, provuar, që të kuptohet dhe gjendet pozicionimi i duhur për ta bërë të dhurojë më të mirën. Sipas meje, ai mund të luajë në sistemin 4-3-3”, tha Di Françesko para gazetarëve.