SPORT, 24 Prill 2026, 18:09

Milani drejt Juves me “armët” e plota, Alegri ka luks zgjedhjeje

Milani drejt Juves me “armët” e plota, Alegri ka luks

Milani dhe trajneri Masimiliano Alegri i kanë të gjithë lojtarët në dispozicion. Janë të shumta opsionet për trajnerin kuqezi, i cili ka vendosur t’i japë skuadrës edhe një ditë shtesë pushimi në prag të ndeshjes të së dielës. Të mbërrish në fund të sezonit me gjithë grupin në dispozicion nuk është një detaj për t’u nënvlerësuar: është pikërisht momenti i kampionatit kur lodhja ndihet më shumë dhe dëmtimet janë gjithmonë në pritje.

Milani ka punuar me kujdes në menaxhimin e forcave dhe kjo po reflektohet, pasi në fund të prillit Alegri mund të llogarisë të gjithë skuadrën. Të gjithë lojtarët janë rikuperuar, përfshirë edhe ata që dolën së fundmi nga infermieria: Ruben Loftus-Çik, Mateo Gabia (protagonist në rikthimin si titullar në Verona) dhe Santiago Gimenez, i cili pas disa aktivizimeve si zëvendësues ende nuk ka nisur një ndeshje nga minuta e parë.

Ky bollëk alternativash i jep Alegrit një liri zgjedhjeje të pazakontë, edhe pse me shumë gjasë ai do t’i qëndrojë formacionit të ndeshjes së kaluar, me përjashtimin e vetëm të Aleksis Saelemakers në vend të Athekame. Në sulm pritet të konfirmohet sërish dyshja Rafael Leao – Kristian Pulisiç. Pas seancave të para, Alegri duket se ka marrë sinjale pozitive, aq sa vendosi të ndryshojë programin javor dhe t’i japë skuadrës një ditë pushimi. Takimi i radhës është të premten, për të hyrë në fazën finale të përgatitjeve për përballjen me Juven.