TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Rafael Leao nuk bind plotësisht. Mes kritikave dhe momenteve vendimtare, Milani shpreson te një Botëror i madh përpara se të vlerësojë ofertat për të. “Kryqëzim dhe kënaqësi”, kështu mund të përshkruhet pasditja e portugezit në Verona, një përmbledhje e sezonit të tij me ulje-ngritje, mes golave, dëmtimeve dhe performancave të paqëndrueshme.
Në stadiumin Bentegodi, sulmuesi i Milanit realizoi aksionin më të bukur të ndeshjes, një asist perfekt për Adrien Rabiot, që i dha tri pikët skuadrës së Masimiliano Alegrit. Megjithatë, trajneri e zëvendësoi pas pak më shumë se një ore lojë, duke habitur vetë Leaon, i cili kërkoi shpjegime me qetësi. “Me 12 lojtarë nuk mund të luhet”, ishte përgjigjja ironike e Alegrit pas ndeshjes. Në vend të tij hyri Santiago Gimenez, që nuk la gjurmë të veçantë. Pyetja mbetet: pse del gjithmonë numri 10?
NJË SEZON SI “ROLLER COASTER”
Leao prej muajsh vuan nga pubalgjia. Megjithatë, në fazën e dytë të sezonit ka luajtur pothuajse çdo ndeshje, përveç atyre ndaj Bolonjës dhe Torinos. Shpesh ka luajtur me dhimbje, pa arritur maksimumin e tij, sidomos në një rol që nuk është i preferuari i tij, ai i qendërsulmuesit. Goli i fundit daton më 1 mars ndaj Kremonezes, dhe paraqitjet kanë qenë shpesh zhgënjyese, si në ndeshjen ndaj Udineses në “San Siro”, ku u fishkëllye nga tifozët. Leao ka qenë gjithmonë një lojtar që ndan opinionin, kur Milani nuk fiton, ai shpesh bëhet objekt kritikash.
Megjithatë, ai mbetet golashënuesi më i mirë i Milanit në kampionat me 9 gola dhe, bashkë me Kristian Pulisiç, konsiderohet lojtari më i aftë për të vendosur ndeshjet me një moment individual. Nga ana tjetër, kontributi i tij në fazën mbrojtëse është i kufizuar, çka e detyron Alegrin ta përdorë në qendër. Por edhe si “9”, sidomos në duel me mbrojtësit dhe në mbajtjen e topit, shumëkush mendon se nuk është ende në nivelin e një qendërsulmuesi tipik për Milanin.
Këto dilema hedhin hije mbi të ardhmen e tij te Milani. Kontrata e Leaos skadon në vitin 2028, por marrëdhënia mes palëve nuk ka qenë kurrë kaq e ftohtë. Klubi nuk e konsideron më të paprekshëm dhe edhe vetë lojtari mund të hapet për një transferim, ndoshta pas një Botërori të mirë me Portugalinë që do ta rriste vlerën e tij në treg. Aktualisht nuk ka oferta konkrete, vetëm zëra, si interesimi i Barcelonës.
Katalanasit mund të ndryshojnë objektiv nëse nuk blejnë Markus Rashford nga Mançester Junajtid. Sa i përket çmimit, situata ka ndryshuar ndjeshëm, dikur klauzola ishte 175 milionë euro dhe negociatat nuk nisnin nën 100 milionë. Sot, vlera e tij në bilanc është pak më shumë se 11 milionë euro, çka do të thotë se çdo shitje mbi këtë shifër do të sillte fitim të pastër për klubin, para që mund të investohen për një qendërsulmues të mirëfilltë.
Po nëse qëndron? Nëse Leao mbetet, është e mundur që Masimiliano Alegri të vazhdojë ta përdorë si qendërsulmues në skemën 3-5-2. Një rol që ende ngre pikëpyetje, ashtu si e ardhmja e vetë portugezit në “San Siro”.