TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Milani po përballet me një problem serioz në repartin ofensiv dhe në qendër të kësaj krize është edhe Kristian Pulisiç, i cili po kalon një periudhë shumë të vështirë pa gola. Një situatë e tillë i kishte ndodhur vetëm në sezonin e fundit te Çelsi.
Sulmuesi amerikan nuk është më vendimtar si në fillim të sezonit dhe tashmë ka hyrë në një “agjërim” golash që po i afrohet katër muajve. Ai ka arritur në 15 ndeshje radhazi pa shënuar me Milanin, shumë pranë rekordit negativ prej 16 ndeshjesh që mbante nga sezoni 2022-23 në Angli. Goli i fundit i Pulisiç daton më 28 dhjetor ndaj Veronës. Që nga fillimi i vitit 2026, ai nuk ka gjetur më rrugën e rrjetës, duke ndikuar edhe në aspektin psikologjik.
Në ndeshjen e fundit u pa një lojtar i zbehtë, pak i përfshirë në aksionet sulmuese dhe sërish u vu re mungesa e harmonisë me Rafael Leao. Të dy bashkë nga minuta e parë rrallëherë kanë bërë diferencën, ndonëse klubi kishte menduar të ndërtonte sulmin pikërisht mbi talentin e tyre. Tashmë drejtuesit duhet të reflektojnë seriozisht për përputhshmërinë e tyre në skemat me dy sulmues.
NJË SULM QË NUK SHËNON – Situata bëhet edhe më shqetësuese kur shihet tabloja e përgjithshme. Të pesë sulmuesit e Milanit janë në dispozicion, por askush nuk po shënon. Trajneri Masimiliano Alegri ka provuar zgjidhje të ndryshme, duke ndryshuar çiftet sulmuese nga ndeshja në ndeshje. Kundër Napolit startuan Kristopher Nkunku dhe Niklas Fylkryg, ndërsa ndaj Udinezes dhe Veronës nisën Leao me Pulisiç, por pa sukses.
Shifrat janë alarmante: Santiago Gimenez nuk shënon në kampionat prej gati një viti (edhe për shkak të një operacioni në kyçin e këmbës); Nkunku nuk shënon prej më shumë se dy muajsh (goli i fundit më 3 shkurt ndaj Bolonjës); Fylkryg nuk realizon prej mbi tre muajsh (që nga janari kundër Leçes); Edhe Leao, ndonëse më “i freskëti”, nuk shënon prej 1 marsit ndaj Kremonezes. Një situatë dramatike që tregon se Milani po mbijeton falë golave të mesfushorëve dhe mbrojtësve.
DIFERENCA ME INTERIN DHE PLANET PËR VERËN – Kontrasti me Interin është i theksuar. Kuqezinjtë kanë një nga mbrojtjet më të mira në kampionat, por kanë shënuar rreth 30 gola më pak se rivalët. Kjo diferencë reflektohet edhe në renditje, me 12 pikë më pak ndaj skuadrës së drejtuar nga Kristian Kivu, që është shumë pranë titullit. Pikërisht për këtë arsye, në verë pritet një revolucion i vërtetë në repartin ofensiv. Milani do të kërkojë zgjidhje të reja për të rikthyer efikasitetin në sulm dhe për të mos u varur më nga momentet individuale apo nga golat e repartit të dytë.