SPORT, 7 Nëntor 2021, 17:05

Laçi nuk ndalet as ndaj kampionëve, Mazrekaj-Guindo sjellin suksesin e radhës ndaj Teutës

Laçi nuk ndalet as ndaj kampionëve, Mazrekaj-Guindo sjellin suksesin

Ulja e Mirel Josës në stol ka ndryshuar për mirë Laçin. Bardhezinjtë fituan 2-0 ndaj Teutës falë golave të Mentor Mazrekajt në minutën e 42’ dhe Guindos (90'+2).

Fitorja e tretë radhazi në Superiore për ekipin kurbinas, që tashmë janë ngjitur në vendin e katërt.

Vendasit e nisën më mirë ndeshjen dhe kaluan në avantazh që në minutën e dytë. Driblime të bukura të Regi Lushkjes, i cili dhuron asist për Saliou Guindo, por pozicioni i sulmuesit afrikan është i parregullt.

Deliu dhe Ademi patën shanset e tyre, teksa Mentor Mazrekaj zhbllokoi sfidën tre minuta përpara fundit të fraksionit të parë të takimit. Goditja e dënimit nuk u devijua nga askush dhe vendasit në festë.

Teuta tentoi të reagojë në pjesën e dytë, por nuk u shfaq si ekipi kampion në fuqi. Laçi vijoi të sulmojë, Guindo, Lushkja dhe Mazrekaj u shfaqën të rrezikshëm me daljet e tyre.

Ekipi mik mbeti me dhjeetë lojtarë pas daljes me të kuq të Jackson në 80’ (pas një faulli ndaj Guindos). Ekipi i Mirel Josës shfrytëzoi superioritetin dhe realizoi golin e qetësisë më anë të Guindo në minutën e dytë shtesë të sfidës.