TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Laçi vuan shumë, por në fund arrin që të sigurojë një vend mes katër skuadrave gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë, pas “ruletës” së penalltive (3-2).
Kurbinasit kanë dominuar të gjithë takimin, por nuk kanë arritur të shënojnë gol në portën e Egnatias gjatë 90 minutave të kohës së rregullt. Porta e rrogozhinasve mbetet e paprekur edhe pas 30 minutave shtesë dhe duhet të gjuhen penalltitë që të përfundojë kjo sfidë. Lojtarët e Laçit tregohen më të saktë nga pika e bardhë dhe çojnë skuadrën në gjysmëfinale.
Pas barazimit 1-1 në në ndeshjen e parë në Rrogozhinë, Laçi kërkon që të shfrytëzojë faktorin fushë që të sigurojë një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.
Kurbinasit nisin lojën vrullshëm dhe shfaqen rrezikshëm në portën e Egnatias me Zulfiun (dy raste) dhe Qaton, por portieri Puja tregohet në lartësinë e duhur. Ndonëse Laçi dominon, pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola.
Vendasit dominojnë edhe në pjesën e dytë, por goli i avantazhit nuk po vjen. Laçi rrezikon me Deliun, por është sërish Puja ai që i mohon golin skuadrës kurbinase. Agberkpornu largohet me karton të kuq dhe Egnatia detyrohet të luajë 15 minutat e fundit të takimin me dhjetë lojtarë.
Pavarësisht përpjekjeve të Laçit rezultati i sfidës nuk ndryshon. Sipas rregullores së re, nuk vlejnë golat në fushën kundërshtare dhe për të mësuar emrin e skuadrës gjysmëfinaliste do të luhet koha shtesë.
Dominimi i Laçit është i dukshëm edhe në 30 minutat e kohës shtesë, por sërish vendasit nuk arrijnë që të gjejnë rrugën e rrjetës. Janë penalltitë ato që do të përcaktojnë se cila skuadër do të kualifikohet në gjysmëfinale.
Nga pika e bardhë kurbinasit tregohen më të saktë (3-2) dhe arrijnë që të kualifikohen në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.