SPORT, 10 Shkurt 2022, 09:45

Alarm i kuq për Realin e Madridit, Benzema rrezikon ndeshjen me PSG-në

Alarm i kuq për Realin e Madridit, Benzema rrezikon ndeshjen me PSG-në
Karim Benzema

Karim Benzema ka ndezur çdo alarm të kuq te Reali i Madridit.

Kapiteni i “Los Blancos” vazhdon të stërvitet i veçuar nga pjesa tjetër e grupit dhe mungesa e tij tashmë është kthyer në një problem serioz për trajnerin Ançeloti.

Takimi i vajtjes në 1/8 e finaleve në Ligën e Kampioneve kundër Paris SG-së është te dera dhe në Madrid askush nuk jep garanci për praninë në fushë të kapitenit.

Dëmtimi i pësuar në përballjen kundër Elçes rreth 17 ditë më parë vazhdon ta mbajë jashtë fushave Benzemanë.

Që në momentin e dëmtimit në Madrid pati panik, pasi u duk qartë se bëhej fjalë për një dëmtim muskulor.

Por, vetëm 2-3 ditë pas dëmtimit mediat pranë Realit bënë me dije se për kapitenin nuk bëhej fjalë për asgjë serioze. Por, me kalimin e ditëve problemi që në dukje ishte i pallogaritshëm është bërë vërtet serioz, aq sa më Madrid është ndezur drita e kuqe.

Ai pritej të kthehej në fushë në takimin e Kupës së Mbretit kundër Bilbaos, por trajneri Ançeloti në një bisedë me vetë kapitenin vendosën që ai ta bënte pushim.

Situata u bë edhe më shqetësuese teksa Benzema nuk u shfaq gjëkundi as në përballjen e fundjavës së kaluar në kampionat kundër Granadës. Tashmë e sigurt është mungesa e Benzemasë edhe për takimin e së shtunës në La Liga kundër Vijarealit.

SHQETËSIMI – Çështja e kthimit në fushë e kapitenit Benzema është vetëm gjysma e problemit të Realit. Pjesa tjetër qëndron në faktin se në çfarë gjendjeje do të kthehet francezi.

Mediat spanjolle janë të qarta. Sipas tyre edhe nëse Benzema do të kapë “trenin” e fundit dhe do të jetë gati për Ançelotin për sfidën e 15 shkurtit kundër PSG-së, ai vështirë se do të jetë në 100% të formës së tij.

Kjo situatë e ka vënë përpara pikëpyetjeve të mëdha trajnerin Ançeloti, i cili ka nisur të mendojë dhe për një plan B pa Benzemanë të disponueshëm.