SPORT, 7 Gusht 2025, 21:29

"Kosova është Serbi"/ FFK dënon ashpër provokimin e tifozëve të Lech Poznań dhe kërkon masa disiplinore nga UEFA

"Kosova është Serbi"/ FFK dënon ashpër provokimin

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar me ashpërsi ndaj një incidenti të rëndë të ndodhur gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve mes Lech Poznań dhe Crvena Zvezda-s, ku tifozët polakë shfaqën një banderolë me përmbajtje provokuese dhe politike ndaj Kosovës.

Ky veprim, i ndjekur edhe nga një falënderim publik i klubit serb, ka nxitur shqetësim dhe zemërim në institucionin më të lartë të futbollit kosovar, i cili e ka cilësuar ngjarjen si një shkelje të qartë të vlerave dhe rregullave të UEFA-s.

FFK-ja ka nisur menjëherë procedurat për ankesë zyrtare, duke kërkuar masa disiplinore për të gjithë përgjegjësit, ndërsa thekson se futbolli duhet të mbetet larg politikës dhe të shërbejë si mjet bashkimi mes popujve.

Reagimi i plotë i FFK-së:

'Federata e Futbollit e Kosovës e dënon ashpër shfaqjen e një banderole provokuese dhe të papranueshme nga tifozët e Lech Poznań në ndeshjen e mbrëmshme të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Crvena Zvezdës.

Gjatë kësaj ndeshje, në tribunën e tifozëve polakë u shfaq një parullë me mesazhin “Kosova është Serbi”, ndërsa klubi serb më pas e falënderoi publikisht Lech Poznań-in dhe tifozët e tij për këtë veprim, e që e quajti “mbështetje”.

Federata e Futbollit e Kosovës i cilëson këto akte si provokim të rëndë politik, të turpshme e të papranueshme në një ngjarje sportive dhe shkelje flagrante të rregullave dhe parimeve të UEFA-s, e të cilat ndalojnë çdo lloj mesazhi politik apo diskriminues në stadiume.

Këto janë sjellje që nuk i shërbejnë futbollit dhe përbëjnë nxitje të urrejtjes dhe cenim të integritetit sportiv.

FFK, menjëherë pasi ka vërejtur një shkelje të tillë, ka nisur procedurën e paraqitjes së ankesës zyrtare në UEFA, duke kërkuar masa disiplinore ndaj klubit Lech Poznań, përgjegjës për sjelljen e tifozëve të tij, si dhe ndaj Crvena Zvezdës për deklaratat publike që nxisin dhe legjitimojnë mesazhe kundër shtetit të Kosovës.

FFK, si anëtare e UEFA-s, mbron dhe promovon vlerat që futbolli duhet të mbetet jashtë provokimeve politike dhe duhet të shërbejë si urë bashkimi, e jo përçarjeje, por kërkon me ngulm që këto parime të mbrohen edhe nga federatat tjera anëtare.'