SPORT, 6 Gusht 2025, 17:13

Ferrari shikon nga e ardhmja, një daneze dhe një italian firmosin me akademinë e Formula 1

Ferrari shikon nga e ardhmja, një daneze dhe një italian firmosin me

Akademia e pilotëve “Scuderia Ferrari” ka njoftuar pranimin e dy talenteve në programin e saj të dedikuar për të rinjtë: bëhet fjalë për Alba Larsen, daneze e lindur në vitin 2008, dhe Nikolo Makanjani, italian i lindur në vitin 2010. Të dy do të bëhen zyrtarisht pjesë e programit më 1 janar 2026.

Alba Larsen nuk është e panjohur për akademinë: vajza nga Roskilde fitoi në fund të vitit 2023 edicionin e katërt të programit “Girls on Track-Rising Star”, kur ishte vetëm 14 vjeçe. Që atëherë, Ferrari ka ndjekur nga afër zhvillimin e saj duke organizuar edhe vizita të rregullta në selinë në Maranelo. Alba debutoi në garat me njëvendëshe vitin e kaluar në kampionatin indian të F4 dhe këtë vit garon në “F1 Academy”, ku ka arritur të marrë pikë në 7 nga 8 garat e para. Aktualisht është e gjashta në renditjen e përgjithshme dhe performanca e saj ka bindur teknikët e Akademisë që është momenti i duhur për ta përfshirë në program.

Ndërsa Nikolo Makanjani, i lindur në Romë, ka spikatur si në garat me karting ashtu edhe në testimet me njëvendëshet. Në nëntor të vitit të kaluar mori pjesë në “Supercorso ACI Sport”, ku ra në sy për shpejtësinë në pistë, përkushtimin dhe potencialin për t’u zhvilluar më tej. Së fundmi, ai doli në pah gjatë një seance testimi kolektive të F4 në Valelunga, ku la pas 36 garues të tjerë të rinj.