TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Juventus po përgatitet për një verë të nxehtë në merkato, me objektivin për të përmirësuar skuadrën pa rënduar financat. Administratori i deleguar Damien Komoli do të duhet të balancojë me kujdes kostot, si për kartonët ashtu edhe për pagat.
Pas disa sezonesh ku u preferuan lojtarë të rinj me paga të përballueshme, kërkesat e trajnerit Luçiano Spaleti dhe boshllëqet e evidentuara këtë sezon po e shtyjnë klubin drejt profileve më me eksperiencë dhe me mentalitet fitues. Kjo përkthehet në një strategji të qartë: mund të kursehen para për kartonët e lojtarëve mbi 30 vjeç, por do të nevojiten paga të larta për t’i bindur ata të bashkohen me bardhezinjtë.
Emrat që ëndërrohen në Torino janë të rëndësishëm: Alison Beker për portën, Bernardo Silva në mesfushë dhe Robert Levandovski në sulm. Alternativa të vlefshme janë Leon Goretzka dhe Randal Kolo Muani. Megjithatë, për të arritur këto objektiva, Juventusi duhet të ulë ndjeshëm fondin e pagave. Me një tavan prej 6-7 milionë eurosh për lojtar, klubi duhet të lirojë rreth 20-25 milionë euro nga buxheti aktual.
Lojtari më i paguar aktualisht është Dushan Vlahoviç, i cili është në bisedime për rinovim. Nëse ai largohet, Juventusi do të kursente rreth 12 milionë euro neto në sezon; në të kundërt, paga e tij mund të ulet ndjeshëm. Kursime të tjera mund të vijnë nga sulmuesit Xhonatan David (6 milionë euro) dhe Lois Openda (4 milionë euro), të cilët nuk kanë bindur plotësisht. I pari ka treg për shkak të statusit si transferim i lirë, ndërsa i dyti mund të largohet në formë huazimi për të lehtësuar pagën.
Lista e largimeve të mundshme përfshin edhe Filip Kostiç (2.5 milionë), pranë skadencës së kontratës, si dhe Arkadiusz Milik (2 milionë), i cili pritet të largohet pas problemeve të shumta fizike. Në diskutim është edhe Teun Kopmeiners, një investim i rëndësishëm i vitit 2024, por që aktualisht ka një rol më të kufizuar në skuadër. Në përfundim, Juventusi synon të ulë kostot për të hapur rrugën për afrime cilësore dhe me eksperiencë, duke tentuar një rikthim të fortë në elitën e futbollit europian.