SPORT, 11 Shkurt 2022, 09:17

FORMACIONI/ Tirana humb Hoxhallarin, trajneri Shehi ka një plan B kundër Egnatias

FORMACIONI/ Tirana humb Hoxhallarin, trajneri Shehi ka një plan B

Tirana duhet të bëjë pa Erjon Hoxhallarin në sfidën me Egnatian, ndërsa mbrojtësi rrezikon edhe sfidën me Kastriotin në transfertë.

Sipas mjekëve të Tiranës, paçka se mbrojtësi është kokëfortë dhe do të jetë në fushë, shanset që të luajë i ka të vogla. Lojtari ka provuar të stërvitet, por e ka kaviljen të ënjtur.

Nga ana tjetër, Hoxhallari kërkon me çdo kusht të jetë në fushë, por është e pamundur. Mbrojtësi është një mungesë e madhe për bardheblutë, gjithmonë nëse nuk riaftësohet në kohë.

PLANI B- Me Hoxhallarin jashtë, Orges Shehi duhet të ndryshojë të gjithë ekipin. Duke filluar nga mbrojtja në sulm, trajneri ka planifikuar ndryshime. Në mbrojtje do të luajë Najdovski së bashku me Behiratçen.

Nga krahët dyshja Toshevski-Ismajlgeci. Në mesfushë kthehet Toli pas pezullimit, ndërsa nuk ndryshojnë as Totre e Limaj.

Në sulm, sërish me ndryshime, pasi duhet të zëvendësohet Seferi i dënuar me kartonë. Në vend të tij, Gjumsi, ndërsa De Silva dhe Xhixha plotësojnë treshen.

STËRVITJA – Trajneri Orges Shehi u mor shumë me taktikën e skuadrës. Për gati një orë ai u shpjegoi lojtarëve se si do të sillen në fushën e lojës.

Për secilin këshilla pa fund që të perfeksionohet manovra kundër Egnatias. Vetë trajneri është parë të ngrejë portat e vogla, gjatë ushtrimeve që bënte skuadra në stadium.

ANALIZA – Bardheblutë më parë kishin bërë edhe analizën për sfidën me Egnatian. Stafi i Tiranës kanë mbledhur skuadrën dhe kanë analizuar kundërshtarin me video. Shehi ka shpjeguar pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit.

Trajneri këto ditë ka kërkuar përqendrim nga ekipi. Tirana ka mundur që të fitojë sfidën e parë të fazës së tretë, duke qenë sërish në krye të renditjes. Nga ana tjetër, bardheblutë kanë objektiva të mëdhenj.

Kërkojnë të shpallen kampionë, por për të kaluar te fitoret, Tirana duhet t’i fitojë tri ndeshjet e radhës. Ky është objektivi i bardhebluve. Tirana luan me Egnatian në shtëpi, në transfertë me Kastriotin dhe në fund përballet me Laçin.

Në tri ndeshje nëse Tirana merr nëntë pikë, mund të themi se i ka larë duart dhe titullin e ka nën këmbë. Nga ana tjetër, bardheblutë janë më të favorizuar.

Nuk luajnë në Kupën e Shqipërisë dhe java është vetëm për Egnatian. Skuadra e Tiranës ka katër titullarë që janë me tre kartonë të verdhë.

Nëse ndëshkohen me Egnatian, mungojnë me Kastriotin. Kështu, Filip Najdovski, Zhoselin Behiratçe, Ëngjëll Hoti, Vesel Limaj janë me nga tre kartonë të verdhë.

FORMACIONI/ Tirana humb Hoxhallarin, trajneri Shehi ka një plan B