SPORT, 4 Shkurt 2022, 10:10

Faza e dytë do luhet me muskuj, tani Juventus ka një ekip… gjigantësh

Faza e dytë do luhet me muskuj, tani Juventus ka një ekip…

Juventusi ka bërë një merkato që është duar trokitur nga të gjithë, duke qenë se blerjet e Dushan Vlahoviçit dhe Denis Zakarias nuk pritet që të sjellin më tepër cilësi dhe më shumë zgjidhje mes reparteve të sulmit e mesfushës, por mbi të gjitha, dy afrimet e reja do të garantojnë më shumë centimetra dhe forcë fizike.

Me serbin dhe zviceranin nën urdhrat e tij, trajneri Masimiliano Alegri tashmë duhet të analizojë jo vetëm se si të ndryshojë modulin taktik për fazën e dytë dhe më të rëndësishme të sezonit, por në të njëjtën kohë se si të vërë në zbatim edhe një forcë fizike dhe një luks centimetrash, duke parë se 10 futbollistë që ai ka në dispozicion janë mbi 188 centimetra e sipër.

Nëse lëmë mënjanë portierin Vojceh Shezni, që ruan kuadratin e portës dhe me 195 centimetrat e tij është më i gjati i skuadrës, ata që nuk bëjnë shaka janë edhe Zakaria dhe Vlahoviç që vijnë të dytët për nga gjatësia, respektivisht me 191 dhe 190 centimetra.

Kësaj liste i shtohen gjithashtu edhe Bonuçi, Rugani, Morata, Rabio, De Ligt, Kielini e Lokateli që pa dyshim do të jenë edhe shtylla kurrizore e atij Juventusi që pas merkatos fantastike të janarit, të japë një kthesë të rëndësishme, duke nisur nga dueli kundër Veronës.

Nëse në fazën e parë, bardhezinjtë u kritikuan për stilin e lojës së tyre, duke qenë se manovra është shpesh shumë e vakët dhe asnjëherë spektakolare, atëherë ideja ndoshta është ajo që të kalohet te shpalosja e forcës, te përdorimi i centimetrave të shumtë në dispozicion, duke qenë se me lodhjen që sa vjen e bëhet më e madhe me kalimin e javëve, pa dyshim që përplasjet në repartet e ndryshme, por edhe loja ajrore mund të jenë një as nën mëngë tepër i rëndësishëm, sidomos në Ligën e Kampioneve, ku shpesh ndeshjet fitohen falë një detaji të vogël, siç mund të jetë një skemë nga goditje dënimi apo goditje këndi.

Prandaj, nëse Vlahoviç e Zakaria, dy gjigantët që u bënë pjesë e “Zonjës së Vjetër” në këtë dritare dimërore transferimesh, futen siç duhet tek ingranazhet taktike në fushë, pa dyshim që përveç cilësive që kanë në këmbët e tyre, edhe centimetrat do të jenë një karakteristikë e shtuar, e cila mund t’u bëjë keq kundërshtarëve.