SPORT, 3 Shkurt 2022, 15:01

Aubamejang prezantohet te Barcelona: Jam gati të "vras" para portës, erdha të fitoj Champions

Aubamejang prezantohet te Barcelona: Jam gati të "vras" para

Pierr-Emerik Aubamejang ka qenë goditja e fundit në merkato për klubin e Barcelonës. Një goditje në limitet e merkatos së janarit, me lojtarin që bëri maksimumin për t’iu bashkuar katalanasve. Futbollisti nga Gaboni është prezantuar sot para mediave dhe ka treguar dëshirën e tij të madhe që të ishte pjesë e katalanasve.

Pak minuta para se të dilte në sallë, ai foli fillimisht për “Barça TV”. “Jam i lumtur pasi e doja me të vërtetë. Kemi pritur deri në momentin e fundit, me Arsenalin ishte e vështirë por tani jam këtu. Mendoj se mund të ndihmoj në fazën e realizimit dhe do të jap gjithçka. Jam një lojtar i shpejtë dhe para portës jam gati edhe të vras”, ishin fjalët e para të Aubamejang.

Më pas, para mediave ai tregoi prapaskenat e këtij transferimi të çuditshëm. “Mendoj se Barcelona është një klub i cili duhet të fitojë Ligën e Kampioneve. Ndaj kjo është një mundësi e mirë. Do të bëjmë gjithçka që të kthehemi në Ligën e Kampioneve dhe ta fitojmë atë. Ka shumë kohë që nuk luaj por në mendjen time është gjithccka e qartë. Jam gati për të luajtur dhe për të ndihmuar. E di që do të kthehemi në majë pak nga pak.

Transferimi? Ishte një ditë shumë e gjatë, ishte një çmenduri. Kemi firmosur kur mbeteshin 2 minuta nga fundi i merkatos, isha me babain tim në shtëpinë e tij duke shpresuar që gjithçka të shkonte mirë. Më në fund, në darkë më thirrën që të bëhej testi mjekësor. Ishte një ditë interesante, por gjithçka shkopi mirë”, tregoi lojtari.