SPORT, 3 Shkurt 2022, 16:22

“Burgu i artë” i Leo Mesit. Zbulohen prapaskenat e formës së dobët të argjentinasit me PSG-në

“Burgu i artë” i Leo Mesit. Zbulohen prapaskenat e formës

Lionel Mesi te PSG duhej të ishte lëvizja e bujshme e merkatos dhe të ndryshonte plotësisht fytyrën e parisienëve. Por deri tani, ylli argjentinas ka dhuruar shumë pak nga ajo që na ka mësuar në vite dhe pasi kanë kaluar 6 muaj, deri tani rezulton një dështim i madh.

“El Confidencial” ka publikuar sot një reportazh ku tregon prapaskenat e kësaj situate të pazakontë. “Nuk është i motivuar, përballet me kritika dhe është në një formë shumë të keqe fizike”, shpjegon gazeta spanjolle, e cila ka bërë të qartë se si “Pleshti” nuk po arrin të tregojë atë për të cilën zgjodhi PSG-në.

Klubi ka bërë maksimumin për të, duke i vënë në dispozicion shoferë për lojtarin e familjen, një mësues gjuhe që të përshtaten shpejt me frëngjishten, si dhe një vilë luksoze pranë bashkëkombësve të tij, Di Maria e Paredes, që të mos ndjehej i vetmuar. Por kjo nuk ngroh Meisn dhe familjen e tij. “Gjuha dhe miqtë e zakonshëm në Barcelonë janë ato që i mungojnë Mesit”, shpjegon “El Confidencial”, i cili thekson se deri tani, eksperienca e argjentinasit në kryeqytetin francez, mund të cilësohet një dështim i bujshëm.