SPORT, 25 Mars 2022, 21:10

Euro 2023/ Kombëtarja U-21 e pafat, Çekia fiton me autogol të Kalajt

Euro 2023/ Kombëtarja U-21 e pafat, Çekia fiton me autogol të

Shqipëria U-21 humbi ndeshjen përballë Republikës Çeke (0-1), në një duel të vendosur nga autogoli i mbrojtësit Kalaj në pjesën e parë, takim ky i vlefshëm për kualifikueset e Europianit “Euro 2023” për 21-vjeçarët.

Pjesa e parë do të ishte më e qetë mes dy ekipeve, ndërsa një autogol i Kalajt në minutën e 35-të do t’i jepte avantazhin kundërshtarëve, do të mbyllej 1-0 për miqtë.

Në pjesën e dytë kuqezinjtë e Alban Bushit do të ishin më kërkues, ku iu afruan barazimit me atë të Ndreckës, Muçin dhe Karricën por pa mundur të gjenin edhe rrugën e rrjetës.

Ndërkohë nga krahu tjetër u përgjigj Çekia me Sejk, i cili vendosi në provë portierin Simoni nga goditja e dënimit, me gardianin e Dinamos që reagoi siç duhet.

Edhe në dy raste të tjera portieri Simoni do të bënte rolin e “shpëtimtarit” teksa mbrojti portën e tij nga gola të sigurt.

Kjo humbje zbeh shpresat e kombëtares së U-21 për të tentuar edhe kualifikimin, teksa deri tani kanë arritur të grumbullojnë 9 pikë në grupin G, ndërkohë çekët me këtë fitore shkojnë në kuotën e 16 pikëve në vendin e parë në grup.