SPORT, 2 Maj 2026, 12:07

E ardhmja e Mohamed Salah, vendimi që pritet të vijë shumë shpejt

E ardhmja e Mohamed Salah, vendimi që pritet të vijë shumë

Mohamed Salah pritet të rikthehet në fushë me Liverpool FC përpara përfundimit të sezonit, pavarësisht alarmit të shkaktuar nga një dëmtim muskulor.

Lajmi për dëmtimin ngriti shqetësim te tifozët e “The Reds”, të cilët frikësoheshin se ky mund të ishte një largim i hidhur i sulmuesit nga “Anfield”. Megjithatë, po punohet që egjiptiani të rikthehet dhe të mos mbyllë aventurën e tij në këtë mënyrë.

Ndërkohë, Salah është i fokusuar edhe te e ardhmja, duke pasur në mendje Botërorin dhe skuadrën e tij të re. Vendimi për destinacionin e ardhshëm pritet të bëhet publik së shpejti, por para kësaj ai synon të rikthehet të veshë sërish fanellën e Liverpoolit.

Sulmuesi nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Manchester United në “Old Trafford”, por mund të rikthehet në përballjen me Chelsea FC ose në ndeshjet e mbetura të Premier League, përfshirë sfidën në “Villa Park” më 17 maj apo takimin e fundit të kampionatit ndaj Brentford FC, ku mund të marrë një lamtumirë të denjë për “Faraonin”.

Në moshën 33-vjeçare, Salah pritet të largohet si një legjendë e Liverpoolit, për të nisur një aventurë të re në një tjetër kampionat ku të ndihet sërish protagonist. Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo liga evropiane si Italia janë ndër opsionet që e tundojnë yllin egjiptian, ndërsa ai vijon të peshojë zgjedhjen e tij.

Ndërkohë, Liverpool pret me ankth rikthimin e tij në fushë për t’i dhënë lamtumirën që meriton. Salah është shumë pranë hyrjes në Top 20 të lojtarëve me më shumë paraqitje në historinë e klubit, me 440 ndeshje, ndërsa renditet në podiumin e golashënuesve më të mirë të “The Reds” me 257 gola dhe 122 asistime. Përpara tij qëndrojnë vetëm Ian Rush dhe Roger Hunt.

Këto statistika e vendosin Salah mes figurave më të mëdha në historinë e klubit dhe e konfirmojnë si një nga futbollistët më të spikatur të Premier League në shekullin e 21-të.

Shumë shpejt pritet të bëhet i ditur edhe emri i skuadrës së tij të re, por një gjë mbetet e sigurt: ekipi që do ta afrojë do të fitojë një sulmues që ka ende shumë për të dhënë dhe aftësinë për të bërë diferencën në fushë.