SPORT, 30 Prill 2026, 18:39

Vetëm e akuzoi se i kompromentoi objektivat, Partizani i kthehet sërish Kërnajës pas gafës së madhe

Vetëm e akuzoi se i kompromentoi objektivat, Partizani i kthehet

Një trajner i shkarkuar, dy mesazhe të ndryshme lamtumire. Kjo është pak a shumë mënyra se si klubi i Partizanit u nda nga trajneri Oltijon Kërnaja dhe mbylli këtë etapë të tij te të kiuqtë vetëm tre javë para fundit të sezonit.

Fillimisht mesazhi i të kuqve dukej si një lamtumirë aspak miqësore e trajnerit me akuza të rënda për kompromentim të sezonit. “FK Partizani zyrtarizon mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Oltijon Kërnaja. Largimi  vjen pas rezultateve zhgënjyese që ekipi ka regjistruar së fundmi çka ka kompromentuar ndjeshëm objektivat e klubit. Përgjatë pjesës së mbetur të këtij sezoni ekipi do të drejtohet nga stafi teknik aktual, pjesë e të cilit është edhe drejtori sportiv Agim Ibraimi”, ishte mesazhi i publikuar nga klubi. Gjithçka e thatë, me asnjë falënderim për trajnerin që ngjalli Partizanin pas katastrofës së startit të sezonit.

Korrigjimi i kësaj gafe u bë pak minuta me vonë, me të kuqtë të cilët modifikuan mesazhin e shkarkimit të trajnerit, duke e zbutur disi të paktën me një falënderim që u përfshi mes radhëve. “Partizani dëshiron të falënderojë Oltijon Kërnajën për kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe në drejtimin e ekipit, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në të ardhmen”, ishte fjalia që u shtua mes radhëve duke korrigjuar disi gafën e minutave të mëparshëm të klubit.