TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Milani po përgatit një ndryshim të thellë jo vetëm në sulm, por edhe në mesfushë, repart ku pikëpyetjet janë edhe më të mëdha. Lëvizjet e verës pritet të jenë të shumta, pasi disa lojtarë janë drejt largimit, ndërsa të tjerë janë në pikëpyetje për të ardhmen. Fofana dhe Loftus-Çik duken me “valixhet gati”, ndërsa Luka Modriç duhet të vendosë nëse do të vazhdojë edhe një sezon, do të transferohet diku tjetër apo do të tërhiqet nga futbolli.
Në këto kushte, gjysma e mesfushës aktuale rrezikon të ndryshojë, me vetëm disa emra si Rabiot, Jashari dhe Riçi që mund të mbeten. Ndërkohë, nga huazimet do të rikthehen Bondo, Benaser dhe Musah. Dy të parët pritet të largohen sërish, ndërsa amerikani mund të përdoret si “joker” nga Alegri, edhe në krah, nëse nuk tërheq vëmendjen e merkatos gjatë Botërorit.
GORETZKA I THOTË “PO” MILANIT
Trajneri Alegri ka kërkuar si përforcim kryesor gjermanin Leon Goretzka, i cili është në prag të përfundimit të kontratës me Bajern Mynih. Mesfushori do të jetë lojtar i lirë më 30 qershor dhe, pavarësisht interesit nga Juventus dhe disa klube të Premier League, Milani ka avancuar ndjeshëm në negociata. Ideja për të jetuar në Milano e josh lojtarin, i cili ka dhënë sinjale pozitive drejtuesve kuqezi. Përgjigjja përfundimtare pritet pas përfundimit të angazhimeve të tij me Bajern. Qëllimi i Goretzkës është të mbyllë transferimin para Botërorit, në mënyrë që të kryejë vizitat mjekësore, të firmosë kontratën (3 vite + 1 opsion, rreth 5 milionë euro neto në sezon) dhe të përqendrohet vetëm te kompeticioni.
OBJEKTIVAT E TJERË, HAVI GUERRA DHE ISMAEL KONE
Afrimi i Goretzkës me parametër zero nuk përjashton, përkundrazi favorizon, blerjen e një tjetër mesfushori “box-to-box”, më të ri në moshë. Një nga emrat që rikthehet në skenë është Havi Guerra. Spanjolli ishte objektiv konkret edhe verën e kaluar, por rinovimi me Valencian deri në vitin 2029 e komplikoi operacionin. Megjithatë, situata e klubit spanjoll, larg zonave europiane, mund të ndikojë në vendimin e lojtarit, i cili mbetet ambicioz dhe i hapur ndaj një sfide të madhe si Milani. Pengesë mbetet klauzola e lartë prej 100 milionë eurosh. Alternativë tjetër është Ismael Kone, një mesfushor fizik, me aftësi depërtuese dhe sens goli (6 gola këtë sezon në Serie A).
Skautët e Milanit e kanë ndjekur nga afër dhe kanë mbetur të impresionuar, por për të ka interes edhe nga klube të tjera italiane. Në këtë garë mund të përfshihet edhe Sasuolo, që mund të kërkojë futjen në marrëveshje të ndonjë talenti kuqezi. Pëlqehet regjisori i ri Kristian Komoto, që po spikat te Specia, por Milani nuk dëshiron ta humbasë kontrollin mbi të. Një tjetër emër i përfolur është sulmuesi i talentuar Françesko Kamarda, i rikthyer pas dëmtimit. Milani, pra, po përgatit një revolucion të vërtetë në mesfushë, duke synuar përzierjen e eksperiencës me energjinë e lojtarëve të rinj, për të ndërtuar një repart më të fortë dhe konkurrues për sezonin e ardhshëm.