SPORT, 1 Maj 2026, 19:58

Milani rrezikon humbje, goditje 60 milionë nga kthimi i huazimeve

Milani rrezikon humbje, goditje 60 milionë nga kthimi i huazimeve

Milani mund të përballet me një goditje financiare prej rreth 60 milionë eurosh, për shkak të pasigurisë mbi të ardhmen e disa lojtarëve të huazuar. Klubi shpresonte që shitjet përfundimtare të tyre të sillnin të ardhura të rëndësishme për t’u riinvestuar në merkato, por tre emra janë gjithnjë e më larg qëndrimit të përhershëm te klubet aktuale, Samuel Çukvueze, Ismael Benaser dhe Junus Musah.

Faktori kryesor mbeten klauzolat e blerjes për Musah dhe Çukvueze, megjithëse situatat e tyre janë të ndryshme. Atalanta ka opsionin për të blerë Musah për 26 milionë euro, por duke parë hapësirat e pakta që ai ka pasur këtë sezon, duket pothuajse e pamundur që klubi bergamask ta aktivizojë këtë klauzolë. Shpresat më të mëdha për të ardhura mbeten te Çukvueze.

Fulham është i kënaqur me të, por paraqitjet e tij kanë qenë më shumë si lojtar rotacioni. Pyetja është nëse klubi anglez do të paguajë 24 milionë euro për një profil të tillë, apo do të kërkojë ulje çmimi përmes negociatave. Situata më e paqartë është ajo e Benaser. Dinamo Zagreb e ka përdorur si titullar kur ka qenë në formë, por dy dëmtime të gjata kanë ndikuar negativisht. Klauzola e blerjes është 10 milionë euro, por gjithçka do të varet nga strategjia e klubit kroat. Nëse këto marrëveshje nuk realizohen, Milani rrezikon të humbasë një shumë të konsiderueshme që mund të kishte qenë thelbësore për planet e merkatos së verës.