SPORT, 30 Prill 2026, 19:10

Lukaku “helmon” në rrjetet sociale: Nuk po kënaqem

Lukaku “helmon” në rrjetet sociale: Nuk po kënaqem

“Unë nuk po injoroj asgjë. Thjesht nuk po kënaqem.” Këto janë fjalë të publikuara në një postim dhe të shpërndara nga Romelu Lukaku në “Instagram Stories”, që duket se ka lënë shumë të kuptohet për një moment negativ që po kalon te Napoli.

Në këtë sezon, sulmuesi belg ka regjistruar vetëm shtatë paraqitje, pesë në Serie A, një në Kupën e Italisë dhe një në Champions League, me vetëm një gol të shënuar. “Big Rom” është penguar fillimisht nga një problem muskulor në mesin e gushtit, në janar u rikthye në dispozicion të trajnerit Konte, por pas vetëm gjashtë minutave kundër Torinos më 6 mars nuk është parë më në fushë.

Kjo situatë lidhet edhe me një tjetër dëmtim, dhe që prej pushimit të kombëtareve në mars ai nuk është kthyer në Itali, duke preferuar të qëndrojë në Belgjikë për të vijuar procesin e rikuperimit. Një vendim që nuk është pritur mirë nga klubi dhe që mund të çojë drejt një largimi të mundshëm të tij nga Napoli në merkaton e ardhshme.

Lukaku ka dërguar gjithashtu një mesazh për gjendjen e tij emocionale me një tjetër frazë motivuese: “Momentet e vështira vijnë e shkojnë, dhe disa sezone zgjasin më shumë se të tjerat. Qëndro i fortë, mos u dorëzo.”