SPORT, 28 Shkurt 2023, 10:47

Dy ndeshje vendimtare për stolin, Çelsi i vendos ultimatum trajnerit Poter

Dy ndeshje vendimtare për stolin, Çelsi i vendos ultimatum trajnerit

Pronarëve të Çelsit po u soset durimi. Graham Poter nuk e ka më të sigurt stolin e tij në “Stamford Bridge” pas humbjes me Totenhemin, ndërsa “The Telegraph” zbulon se trajnerit i është vendosur një ultimatum prej pronarit Tod Bohli, që të bëjë kthesën në dy ndeshjet e ardhshme, përndryshe e pret shkarkimi.

Blutë e Londrës kanë humbur tri ndeshjet e fundit pa shënuar asnjë gol dhe nuk fitojnë prej 6 ndeshjesh (kanë shënuar vetëm 1 gol). Ish-trajneri i Brajtonit është favorit i kompanive të basteve për t’u shkarkuar në Premier Ligë.

Por atij i është dhënë kohë nga drejtuesit për të marrë kthesën në dy ndeshjet e radhës, kundër Lidsit dhe Borusias së Dortmundit.

Gjermanët i mundën në Dortmund në ndeshjen e parë të 1/8-ave, 1-0 dhe një eliminim i anglezëve do të rezultonte fatal për Poterin, i cili është zyrtarisht edhe trajneri më i dobët në “Stamford Bridge” në epokën e Premier Ligës.

Ndaj Totenhemit ai pësoi humbjen e shtatë në kampionat në 18 ndeshje. Dhe nga këto ndeshje vetëm 5 kanë qenë fitore. Poter ka regjistruar vetëm dy fitore në 15 daljet e tij të fundit në kampionat.

Disfata në derbi e lë 47- vjeçarin të fundit në listën e trajnerëve të Çelsit në Premier Ligë, me vetëm 27.8% fitore.

Edhe trajnerë që janë cilësuar si dështim në “Stamford Bridge”, si Rafa Benitez, Luiz Felipe Skolari, apo Andre-Vijash Boash kanë një përqindje me të lartë fitoresh sesa Poteri. Dhe që të tre u shkarkuan shpejt nga ishpronari Roman Abramoviç. Por Poter e sheh veten edhe pas trios britanike të trajnerëve, Dejvid Ueb, Glen Hodëll dhe Ian Porterfilld.