TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Për herë të parë në historinë e saj në shekullin e XXI-të, Barcelona është detyruar të mbyllë llogaritë me Kupat e Europës që në muajin shkurt. Të enjten në mbrëmje ka marrë goditjen e radhës, teksa humbja me Mançester Junajtidin në “Old Trafford” e ka nxjerrë jashtë dyerve të Europës për të dytin sezon radhazi.
Por ndoshta për katalanasit gjërat mund të kishin shkuar më mirë në “Pallatin e Ëndrrave” nëse Ansu Fati nuk do t’i kishte prishur punë Robert Levandovskit në fundin e takimit. Ky incident, në dukje i vogël, i shoqëruar më pas edhe nga eliminimi nga Liga e Europës, ka tensionuar situatën në dhomat e zhveshjes së klubit katalanas. Gjithçka ndodhi në minutat e fundit kur Barcelona po shtynte me ngulm në kërkim të golit të 2-2, që do ta çonte takimin në shtesë. Pas një krosimi nga e djathta e Ferran Torres, Ansu Fati dhe Levandovski ishin në pozita të favorshme për të shënuar, me polakun, i cili ishte gati të shënonte për Barçën. Por ka qenë Ansu Fati që ia ka hequr topin nga koka e bashkë me të mundësinë e shënimit. Kjo situatë nuk i ka pëlqyer polakut, i cili është ankuar te Zhordi Alba. Leva ka pasur një bisedë me Alabën, ku i ka theksuar se kjo nuk është hera e parë në këtë sezon që Ansu Fati bëhet pengesë për të shënuar. Siç raportojnë mediat spanjolle, Leva nuk e ka lënë me kaq, por teksa skuadra ka qenë në dhomat e zhveshjes i ka kërkuar llogari sulmuesit spanjoll.
“Të paktën të kishe shënuar vetë”, mësohet t’i ketë thënë Leva, Ansu Fatisë.
DEKLARATA – Ndërkaq, Robert Levandovski ka folur pas takimit të humbur në “Old Trafford”, duke mos e fshehur zhgënjimin, por pa e dramatizuar situatën.
“Kam shënuar, por për fat të keq goli im nuk ka vlejtur. Ka qenë një ndeshje e madhe mes dy skuadrash të denja për Ligën e Kampioneve. Jemi të zhgënjyer, sepse mundësitë për të bërë më mirë ishin aty. Gjithsesi, jemi mundur nga një skuadër e shkëlqyer si Junajtidi. Tani nuk është koha për t’u qarë, duhet të analizojmë çfarë nuk bëmë mirë dhe të shohim përpara. Kemi Ligën dhe Kupën e Mbretit”, tha polaku.