TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Nesër në orën 10:00 të mëngjesit trajneri i ri i Kombëtares, Rolando Maran, do të publikojë listën me emrat e futbollistëve të ftuar për dy miqësoret e qershorit, kundër Izraelit dhe Luksemburgut në Tiranë.
Në prag të përgatitjeve për këto duele, kreu i FSHF-së, Armand Duka tha për TAR se mesfushori i Napolit, Luis Hasa, do të jetë pjesë e ekipit për herë të parë.
“Emër që nuk ka qenë ndonjëherë është Luis Hasa. Shqiptar, me origjinë nga Peqini që luan në Itali dhe për herë të parë do ta kemi. Luan apo jo, e di trajneri, por do të jetë i grumbulluar”, tha Duka.
I lindur në Itali më 06 janar 2004, 22-vjeçari Hasa është produkt i akademisë së Juventusit. Në verën e vitit 2024 ai kaloi te Leçe dhe pas vetëm disa muajve Napoli pagoi 500 mijë euro për ta afruar në ekip, me kontratë deri në verën e vitit 2029.
Sezonin e fundit Hasa luajti në huazim me Carraresen në Serie B, ku në 31 ndeshje shënoi pesë gola dhe asistoi në katër raste.
Luis Hasa ka qenë pjesë e Shqipërisë, por pa u aktivizuar. Më pas ai luajti me moshat e Italisë, ku me U-19 fitoi edhe Kampionatin Evropian. Mesfushori ka luajtur tre ndeshje me Italinë U-21, ndërsa përfundimisht ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë dhe do të jetë një nga risitë e trajnerit të ri të Kombëtares, Rolando Maran.
Një nga emrat në listë është edhe ai Kristian Shpendit, sulmuesit i cili ka bërë mirë në këto vite me Çezenën në Serinë B, duke u kthyer në një nga lojtarët kryesorë të klubit italian. Shpendi është konfirmuar si një golashënues me këtë ekip dhe mund të jetë një alternativë e rëndësishme për sulmin kuqezi.
Ai ka veshur vetëm një herë më parë fanellën e Kombëtares, në miqësoren ndaj Gjibraltarit ku edhe fitoi penalltinë e fitores 1-0. Shpendi mësohet se është një nga emrat në listën e madhe që ka marrë ftesë, ndërsa pret që gjatë kësaj jave të njoftohet nëse do të jetë edhe në listën përfundimtare të Maran. Ajo sigurisht do të ketë pjesën më të madhe të emrave që ishin me kuqezinjtë nën drejtimin e paraardhësit të tij, Silvinjo.
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të rikthehet në “Air Albania” gjatë muajit qershor për dy ndeshje miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut. Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Izraelin më 3 qershor, në orën 20:00, ndërsa më 6 qershor, po në orën 20:00, do të sfidojnë Luksemburgun.
